16:03 / 09.07.2026
MASh-i ndan 100 bursa për nxënësit e arsimit profesional
K. K. / RTKlive
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) do të vazhdojë edhe gjatë vitit shkollor 2026/2027 mbështetjen për nxënësit e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP), përmes ndarjes së 100 bursave.
Sipas MASh-it, kjo masë synon të nxisë regjistrimin e nxënësve në profilet deficitare dhe të rrisë pjesëmarrjen e vajzave në drejtimet teknike, në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
Bursat u dedikohen nxënësve të klasës së dhjetë në institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe kanë vlerë prej 50 eurosh në muaj, ose 500 euro për një vit shkollor, pa përfshirë muajt korrik dhe gusht.
MASh-i ka njoftuar se mbështetja financiare do të vazhdojë për tri vite të shkollimit, në bazë të kritereve të përcaktuara.
Nga gjithsej 100 bursat e ndara, 70 do t’u jepen nxënësve që regjistrohen në drejtimet deficitare, ndërsa 30 janë të rezervuara për vajzat që zgjedhin drejtimet teknike.
Afati për aplikim është nga 9 korriku deri më 1 tetor 2026. Nxënësit duhet të dorëzojnë aplikacionet dhe dokumentacionin përkatës në institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, ndërsa drejtuesit e këtyre institucioneve do t’i përcjellin aplikimet në MASh deri më 5 tetor 2026.
Sipas ministrisë, kjo iniciativë synon të kontribuojë në orientimin e të rinjve drejt profesioneve që kanë kërkesë më të madhe në tregun e punës dhe në forcimin e arsimit profesional në Kosovë.

