Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur kryesinë, pas ftesës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti për takim me krerët e partive.
Përparim Gruda tha se kjo parti synon themelimin e institucioneve.
“Ne kemi thënë prej fillimit që pa dialog politik, pa kompromis, që janë dy fjalë kyçe të politikës, nuk mund të ketë formim të institucioneve dhe për atë jemi në Kryesi, me formësu një mendim të ri pas ftesës së zotit Kurti dhe presim që kësaj here dialogu me qenë i vërtetë”, tha Gruda.
Gruda tha se asnjë parti nuk i ka fituar zgjedhjet në aspektin numerik.
“Vetëvendosje ka pretendua që ka me i themelua krejt institucionet me 50% dhe ka kërkua ma shumë se aq. Votuesit i kanë dhënë edhe më pak se 50%. LVV-ja sot është në 47% dhe na duhet me i respektu gjitha forcat politike rezultatin e dalur prej zgjedhjeve. Rezultati është i qartë, përqindjet dihen, dihet sa vota duhen për president. Shumë gjëra janë sqaru përgjatë këtij viti dhe vitit të kaluar dhe besoj që është momenti me i dhënë rrugë”, deklaroi Gruda.
Ilmi Reçica nga kjo parti para nisjes së takimit, ka thënë se do të marrin një qëndrim pas mbledhjes. Ndërkaq Ganimete Musliu ka refuzuar të flasë.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka dërguar sot në mëngjes ftesë për takim krerëve të partive që deri më tash ishin në opozitë.

