Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadorin Feridun Sinirlioğlu, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe OSBE-së, zhvillimet demokratike në vend dhe stabilitetin në rajon.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Sinirlioğlu e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Kurti e falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm për vizitën dhe vlerësoi kontributin e misionit të OSBE-së në Kosovë në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen e sundimit të ligjit dhe zhvillimin institucional të vendit.
“Ne duam stabilitet, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin Perëndimor. Stabiliteti i vërtetë nuk ndërtohet përmes konflikteve të ngrira apo paqartësisë politike, por përmes forcimit të institucioneve demokratike, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zbatimit të barabartë të ligjit”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ai theksoi gjithashtu se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj parimeve themelore të OSBE-së, si demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, qeverisja e mirë, llogaridhënia dhe bashkëpunimi paqësor.
Në takim, Kurti foli edhe për zhvillimet ekonomike në vend, duke theksuar se Bruto Produkti Vendor ka arritur në 12 miliardë euro, investimet e huaja direkte kanë tejkaluar për herë të parë vlerën prej 1 miliard eurosh, ndërsa Kosova vazhdon të ketë një nga nivelet më të ulëta të borxhit publik në Evropë.
Ai përmendi gjithashtu përparimin në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë publike, vlerësimet ndërkombëtare që e rendisin Kosovën ndër vendet më të sigurta në Evropë, si dhe largimin e vendit nga lista e shteteve të prekura nga brishtësia dhe konfliktet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, Kurti dhe Sinirlioğlu ishin takuar edhe në fillim të muajit maj në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, të mbajtur në Jerevan të Armenisë..jpg)

