Friday, July 31, 2026
HomeLajmeKosovëDogana zbulon medikamente të fshehura në autobus te Dheu i Bardhë

Dogana zbulon medikamente të fshehura në autobus te Dheu i Bardhë

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar një tentim për futjen në territorin e Kosovës të medikamenteve të padeklaruara, të cilat ishin fshehur në një autobus gjatë kontrolleve rutinore në pikën e kalimit kufitar tek Dheu i Bardhë.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit fizik, zyrtarët identifikuan një hapësirë të kamufluar në shkallët e autobusit. Në këtë hapësirë u gjetën disa pako të fshehura, të cilat në shikim të parë dyshohej se përmbanin çaj. Pas verifikimit, u konstatua se ato përmbanin medikamente të padeklaruara.

Vlera e përafërt e mallit të zbuluar llogaritet rreth 6 mijë euro.

Para kontrollit, drejtuesi i autobusit kishte deklaruar para autoriteteve doganore se nuk posedonte mallra për deklarim. Megjithatë, zbulimi i medikamenteve të fshehura përbën kundërvajtje doganore, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës.

Pas zbulimit të rastit, autobusi u dërgua në terminalin doganor për kontroll të detajuar, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa autoritetet ndërmorën veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës rikujton se importi i medikamenteve i nënshtrohet kërkesave të veçanta ligjore dhe se çdo tentim për fshehje ose mosdeklarim të mallrave cenon sigurinë e zinxhirit të furnizimit, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Ky institucion thekson se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve përmes kontrolleve efektive në pikat kufitare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram