Ndërsa në Kosovë vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur dhe zbulimi i varrezave masive nga lufta e viteve 1998–1999, Serbia po vazhdon të glorifikojë njësi ushtarake që morën pjesë në konflikt.
Monumenti i inauguruar më 1 gusht në Rashkë për Brigadën e 37-të të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave, i shoqëruar me deklarata se ushtarët e saj ishin “heronj” dhe jo kriminelë lufte, dërgon një mesazh që bie ndesh me përpjekjet për zbardhjen e së vërtetës dhe ndërtimin e një pajtimi të qëndrueshëm.
Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili e cilësoi monumentin si një shenjë respekti për ushtarët që, sipas tij, “i shërbyen me nder atdheut”.
Serbia e konsideron zyrtarisht Brigadën e 37-të si njësi heroike dhe më herët e ka dekoruar me Urdhrin e Heroit Popullor.
Megjithatë, kjo brigadë nuk përmendet vetëm në ceremonitë zyrtare. Prej vitesh, institucionet e Kosovës kërkojnë qasje në arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar, të cilat Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka klasifikuar si sekrete deri në vitin 2044.
Kërkesa është pjesë e procesit për personat e zhdukur dhe bazohet në vlerësimin se këto dokumente mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të viktimave dhe në hetimin e krimeve të luftës. Sipas Humanitarian Law Center, brigada ka vepruar në zonën e Drenicës, ku janë dokumentuar krime të rënda ndaj civilëve.
Fshehja e trupave të viktimave të luftës në territorin e Serbisë është një fakt i dokumentuar në hetime dhe procese gjyqësore ndërkombëtare. Pas luftës u zbuluan varreza masive në Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac dhe Rudnicë, ku u gjetën mbetjet mortore të rreth 950 shqiptarëve të Kosovës, të transportuara nga Kosova në kuadër të një operacioni shtetëror për fshehjen e gjurmëve të krimeve. Vetëm në Batajnicë u zhvarrosën 744 viktima.
Edhe pas më shumë se një çerek shekulli, mbi 1.600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta në Kosovë.
Kërkimet për varreza të reja vazhdojnë si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, ndërsa familjet e viktimave ende presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.
Në këtë kontekst, ngritja e monumenteve për njësi ushtarake, pa u hapur arkivat dhe pa u zbardhur ende fati i mijëra viktimave të luftës, vështirë se mund të shihet vetëm si një akt përkujtimor.
Pa transparencë, drejtësi dhe ballafaqim me të kaluarën, glorifikimi i formacioneve ushtarake rrezikon të perceptohet si vazhdim i një narrative që minimizon ose anashkalon krimet e dokumentuara gjatë luftës.

