Wednesday, August 5, 2026
HomeLajmeKosovëKOKSH rikonfirmon mbështetjen për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

KOKSH rikonfirmon mbështetjen për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) mori pjesë në mbledhjen solemne për konstituimin e Komitetit Organizator të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm sportiv.

Takimi, i mbajtur në Prishtinë nën drejtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shënoi nisjen zyrtare të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, një nga ngjarjet më të mëdha shumëdisiplinore sportive në rajon.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i shoqëruar nga zëvendësministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha, theksoi se Shqipëria do të jetë një partnere e palëkundur e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe institucioneve kosovare gjatë gjithë procesit të organizimit.

Në fjalën e tij, Ylli e cilësoi organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë si një moment historik për sportin shqiptar dhe atë kosovar, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për realizimin me sukses të këtij projekti.

Një pjesë e rëndësishme e garave do të zhvillohet edhe në Shqipëri. Sportet ujore do të organizohen në Durrës, duke e kthyer qytetin bregdetar në një nga qendrat pritëse të Lojërave dhe duke promovuar njëkohësisht potencialin e tij sportiv e turistik.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të lëvizjes olimpike, mes tyre kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, si dhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, të promovojnë sportin në rajon dhe të lënë një trashëgimi të rëndësishme infrastrukturore e organizative për të dy vendet.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram