Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas ndërprerjes së seancës për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar moskonstituimin e tij si vazhdim të bllokadës institucionale nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një komunikatë për media, PDK vlerësoi se seanca e sotme dëshmoi se zvarritja e krijimit të institucioneve “nuk është pasojë e mungesës së votave apo e rrethanave, por rezultat i një zgjedhjeje politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.”
Sipas PDK-së, nuk ka pasur asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit dhe të procedohej me votimin për konstituimin e tij, duke theksuar se “aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.”
Në komunikatë thuhet se mosveprimi i sotëm “përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe të detyrimeve që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.”
PDK ritheksoi se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të plotë të Kushtetutës, ndërsa i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit që “të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të heqin dorë nga bllokada institucionale dhe të mundësojnë menjëherë konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”

