Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas serb, i dyshuar se ka tentuar t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë kufitarë në Pikë Kalimin Kufitar në Bërnjak.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është pranuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë Veri, pas informatës se i dyshuari kishte tentuar t’u jepte ryshfet zyrtarëve policorë.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime të menjëhershme policore, ku me udhëzim të prokurorit kompetent i dyshuari i lartcekur dhe dy dëshmitarë janë intervistuar”, thuhet në njoftim.
Gjatë veprimeve policore, nga i dyshuari është sekuestruar përkohësisht një bankënotë, e cila dyshohet se ishte destinuar për t’u dhënë si ryshfet zyrtarëve policorë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente.

