Ujëvara e Korishës në Prizren po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj. E zbuluar nga turistët edhe përmes kërkimeve në internet, kjo hapësirë natyrore po shndërrohet në një pikë të preferuar për freskim dhe piknik, ndërsa Komuna e Prizrenit planifikon investime dhe promovim më të madh turistik.
Ujvara në Korishë të Prizrenit po kthehet në një destinacion të ri turistik, ku po pëlqehet shumë jo vetëm nga vendasit, por edhe nga të huajt. Vetëm me një kërkim në internet, Anki nga Gjermania ka mundur të orientohet në këtë fshat që është vetëm 10 minuta nga qyteti i Prizrenit.
“Jam nga Gjermania dhe kjo është hera ime e parë në Kosovë. Kemi ardhur për të qëndruar deri në mbrëmje. Meqë sot është shumë nxehtë, u freskuam te ujëvara. Është një vend shumë i bukur dhe më pëlqeu shumë. Kemi hulumtuar në internet dhe kemi parë se është një vend i përshtatshëm për piknik, prandaj vendosëm të vinim këtu dhe ta kalonim ditën”.
Tashmë bashkatdhetarët tanë që vijnë në pushime të verës, nuk ikin pa e vizituar këtë bukuri natyrore.
“Shumë më pëlqen këtu ujëvara, unë vij ç’do vit këtu, më pëlqen uji, më pëlqen natyra, më pëlqejnë njerëzit, shoqëria e mirë, më pëlqen me dalë me familje. Duhet të investohet këtu, për ne gurbetqarët më shumë, veç me pas investime të mira këtu bëhet edhe shumë më bukur”, thotë Sabahat Krasniqi, bashkatdhetare nga Danimarka.
“Shumë bukur, shumë, shumë bukur, kam pas qef me ardh me ju tregua fëmijëve, sepse ne kështu nuk kemi në Danimarkë, me pa qa është Kosova”, tha Leonora Hamza, bashkatdhetare.
Dy vite më parë komuna e Prizrenit ka investuar disa vendpushime për vizitorët, por ky vend që po kthehet në të preferuarin e tyre, nuk është futur akoma në platformat turistike.
“Korisha është një vend me të vërtetë turistik, hapësirat e ujëvarës janë të mahnitshme, gjithsesi kemi shumë turist të cilët pyesin, lypin informacione se cilat pjesë janë më interesante për tu vizituar, ngase akoma nuk kemi plasuar platforma digjitale të shumë sqaruara për turistët, por , po presim që vitin që vjen ta kemi edhe një platformë me qëllim që secili turist që vjen, mund të hyjë në platformë dhe mund të shohë të gjitha pikat turistike”, tha Adem Morina, drejtor i turizmit në Prizren.
Me disa investime në infrastrukturë dhe mirëmbajtjen e ambientit, Ujëvara e Korishës, mund të joshë një numër të konsiderueshëm të të preferuarve të natyrës, duke ndihmuar kështu jo vetëm zhvillimin e turizmit rural, por edhe të ekonomisë lokale.

