Thursday, August 20, 2026
HomeLajmeKosovëHoxha: 72 armë dhe mbi 4 mijë municione u sekuestruan në Zubin...

Hoxha: 72 armë dhe mbi 4 mijë municione u sekuestruan në Zubin Potok

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se gjatë operacioneve policore të zhvilluara në Zubin Potok janë gjetur dhe sekuestruar 72 armë, 4 mijë e 831 municione të kalibrave të ndryshme, mjete shpërthyese, pajisje ushtarake, uniforma, dokumentacion dhe mbi 100 mijë euro në valuta të ndryshme.

Duke folur në konferencën e Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Hoxha tha se operacionet janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës.

Sipas tij, operacionet janë ndërmarrë pas pranimit të informacioneve operative dhe bashkëpunimit me qytetarë lidhur me dyshimet për posedim të armëve ilegale.

Pas verifikimit të informacioneve, Policia ka kryer kontrolle në gjithsej 48 lokacione në zonën e komunës së Zubin Potokut.

“Janë gjetur sasi të konsiderueshme të armëve, municioneve, si dhe mjete të tjera të dyshuara të kundërligjshme”, ka thënë Hoxha.

Sipas të dhënave të prezantuara nga drejtori i Policisë, janë sekuestruar 72 armë, përfshirë dy mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore.

Po ashtu, janë gjetur shtatë mjete shpërthyese, përfshirë granata dore, detonatorë elektrikë dhe pajisje të tjera të lidhura me mjete shpërthyese.

Policia ka sekuestruar edhe 4 mijë e 831 copë municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe pjesë të shumta të armëve, përfshirë tyta, kondakë, karikatorë dhe pajisje optike.

Gjatë operacioneve janë gjetur edhe pajisje të ndryshme ushtarake, përfshirë gazmaska, dylbi, radiolidhje, mbushës për radio, sëpata ushtarake, arka për municion dhe mjete të tjera.

Hoxha ka bërë të ditur se janë gjetur edhe uniforma, çanta dhe këmisha ushtarake të Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë, si dhe dokumentacion që, sipas tij, do të shërbejë për qëllime hetimore.

Në mesin e materialeve të sekuestruara janë edhe dokumente dhe libreza të armëve nga ish-Jugosllavia, dokumente me numra serikë, ditarë dhe leje të ndryshme të armëve.

Po ashtu, Policia ka sekuestruar 96 mijë e 100 euro dhe 5 mijë franga.

Hetimet çuan edhe te tri lokacione me mbetje mortore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka folur edhe për hetimet që lidhen me rastet e krimeve të luftës dhe lokalizimin e tri lokacioneve ku janë gjetur mbetje mortore.

Ai tha se hetimi i krimeve të luftës mbetet një nga prioritetet e institucioneve të Kosovës dhe se gjatë viteve të fundit është fuqizuar Drejtoria e Hetimit të Krimeve të Luftës.

Një nga rastet që është trajtuar me prioritet, sipas Hoxhës, është rasti i vrasjes së një grupi të intelektualëve të Mitrovicës, hetim që Policia e Kosovës e kishte marrë nga Policia e EULEX-it në vitin 2018.

Në kuadër të këtij hetimi, gjatë vitit 2024 është formuar një ekip i posaçëm hetimor, i udhëhequr nga shefi i Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës dhe i përbërë edhe nga katër hetues të tjerë.

Hoxha tha se, pavarësisht disa urdhëresave të mëhershme për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim në lokacione në Jabukë dhe Crepulë të Zubin Potokut, në atë fazë nuk ishin gjetur mbetje eshtërore të personave të zhdukur.

Hetimet lidhen me dy grupe civilësh të zhdukur në prill të vitit 1999, përfshirë grupin e njohur si intelektualët e Mitrovicës dhe pjesëtarë të familjeve Feka dhe Isufi nga Koshtova e Mitrovicës.

Sipas Hoxhës, pas informacioneve të siguruara kohëve të fundit nga puna operative dhe bashkëpunimi me banorët lokalë, janë identifikuar persona që mund të kishin njohuri për aktivitetet kriminale të kohës së luftës.

Më 27 korrik 2026, Policia ka realizuar një operacion të koordinuar, gjatë të cilit janë shoqëruar gjashtë persona, prej tyre katër në cilësinë e dëshmitarëve dhe dy të tjerë të dyshuar, të cilët më pas janë arrestuar.

Sipas Hoxhës, informacionet e siguruara gjatë hetimit kanë çuar në lokalizimin e lokacioneve të dyshuara për varreza. Në njërin prej lokacioneve, gjatë vëzhgimit të terrenit pranë një përroi, hetuesit kishin vërejtur pjesë kockore dhe pjesë të veshmbathjeve të ekspozuara pjesërisht në sipërfaqe si pasojë e erozionit.

Sipas Hoxhës, pas ekzaminimit preliminar nga antropologu mjekoligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, është konstatuar se pjesët kockore ishin me prejardhje njerëzore dhe paraqisnin interes forenzik.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Hoxha, në tri lokacione janë gjetur gjithsej mbetje eshtërore të 23 personave.

Në Kalludër të Vogël, lokacioni i parë i lokalizuar më 27 korrik, janë gjetur mbetje eshtërore që i përkasin 13 trupave.

Në Abri të Vogël, në lokacionin e dytë të lokalizuar më 2 gusht, janë gjetur mbetje të katër trupave, ndërsa në lokacionin e tretë, sërish në Kalludër të Vogël, të lokalizuar më 3 gusht, janë gjetur mbetje të gjashtë trupave.

Nga të tri lokacionet, sipas policisë, janë gjetur edhe prova materiale, përfshirë 66 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, pesë predha dhe një fishek.

Hoxha ka theksuar se hetimet për rastin janë duke vazhduar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe se informacione të tjera do të bëhen publike në momentin e duhur.

Policia prezanton armatimin e gjetur në operacionet në veri të Mitrovicës

(Postuar, 16:03) Policia e Kosovës ka prezantuar sot armatimin, uniformat dhe dëshmitë e tjera relevante të gjetura dhe të konfiskuara gjatë operacioneve policore të zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.

Armatimi i konfiskuar është ekspozuar në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, ku pas pak pritet të fillojë konferenca e jashtëzakonshme për media.

Në konferencë do të marrin pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

Në njoftimin paraprak Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë operacioneve janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera relevante.

Po ashtu, në konferencë pritet të jepen detaje edhe lidhur me veprimet policore në rastin “Krime të Luftës ndaj Popullatës Civile”, të cilat janë duke u zhvilluar në disa lokacione të dyshuara në Zubin Potok.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram