Nga Vladimir Muçaj:
Dritëhijet e arrestimit të bujshëm të Ergys Agasit!
Ergys Agasi nuk është “cirua”. Është një peshk i madh!
Dhe kur një peshk i madh bie në rrjetën e drejtësisë, pyetja nuk është vetëm si u kap. Pyetja është: çfarë fshihet më poshtë sipërfaqes?
Arrestimi i Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga SPAK prej muajsh dhe i kapur sot në zonën e Plepave në Durrës pas ndjekjes nga strukturat e Policisë dhe BKH-së, është padyshim një zhvillim i rëndësishëm.
Në planin operacional, Policia e Shtetit ka realizuar detyrën e saj. Por përtej aksionit policor, prangat janë vetëm kapitulli i parë.
Sepse tani fillojnë pyetjet e vërteta.
Pse u deshën kaq muaj që një person i kërkuar nga drejtësia të përfundonte në pranga?
Kush e ndihmoi, nëse dikush e ndihmoi, të qëndronte jashtë duarve të drejtësisë?
A kemi të bëjmë thjesht me një arrestim të vonuar apo me një dorëzim të kalkuluar?
Dhe mbi të gjitha:
A do të flasë peshku i madh?
SPAK e lidh Agasin me hetimet për dosjen e AKSHI-t, ku dyshimet përfshijnë manipulimin e tenderëve dhe akuza të tjera që tashmë janë pjesë e një procesi hetimor.
Por një hetim serioz nuk duhet të mjaftohet me emrin që sot është në qendër të vëmendjes.
Duhet të shkojë deri në fund.
Nëse pas tij ka njerëz të tjerë, ata duhet të dalin përpara drejtësisë. Nëse ka mekanizma, lidhje apo bashkëpunime, ato duhet të zbardhen. Nëse ka përfshirje të personave të tjerë, emrat duhet të dalin nga provat dhe hetimi profesional.
Sepse qytetarët nuk duan thjesht të shohin pranga.
Duam të shohim drejtësi.
Dhe këtu vjen pyetja që do ta shoqërojë këtë histori gjatë ditëve dhe muajve të ardhshëm:
A do t’ia dalë Ergys Agasi të mos dalë “në zall të bregut”, apo do të vazhdojë të notojë në ujëra të thella pa iu shuar oksigjeni?
Këtë nuk e vendos media. Nuk e vendos politika. Nuk e vendos opinioni publik.
E vendosin provat, hetimi dhe në fund gjykata.
Por një gjë është e sigurt: peshku tashmë është kapur.
Tani duhet parë sa e madhe është rrjeta.
Dhe nëse kjo rrjetë do të tërhiqet deri në fund, pa u këputur dhe pa lënë pas peshq të tjerë që mund të fshihen në thellësi.
Sepse ajo që shqiptarët presin sot nuk është vetëm përgjigjja e pyetjes:
“Pse u arrestua Ergys Agasi?”
Por edhe ajo më e madhja:
“Kush tjetër noton në të njëjtat ujëra?”
Të shohim!

