Bekim Sejdiu është emri konsensual i propozuar për kandidat për president të Kosovës.
Emri i tij u bë publik nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për pozitën e presidentit. Marrëveshja u arrit në takimin e sotëm mes dy palëve, të cilat u dakorduan që në krye të shtetit të vendoset Bekim Sejdiu.
“Nga data 9 korrik kemi nisur dhe zhvilluar diskutimet. Kemi qenë të vendosur të gjejmë zgjidhje për të ecur përpara dhe të evitojmë zgjedhjet. Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese. Kemi pasur bisedime të vazhdueshme. Kemi qenë të përkushtuar për një emër konsensual. Janë përmendur shumë emra që kanë dhënë kontribut dhe që kanë vlera demokratike e qytetare. Gjatë diskutimeve tona jemi dakorduar për një emër, Bekim Sejdiu”, ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

