Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka organizuar edicionin e tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, nën moton “Driving the Next Economy”.
Forumi ka mbledhur përfaqësues të bizneseve dhe investitorë të huaj, me synimin për të promovuar potencialin e Kosovës për bashkëpunim ekonomik, investime dhe integrim në tregjet evropiane.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje investitorëve të huaj që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë. Ai ka deklaruar se ekonomia e vendit ka shënuar rritje dhe se Kosova ka potencial dhe një popullsi të përgatitur në fushën e teknologjisë, energjisë dhe sektorë të tjerë.
“Ne kemi një thënie të vjetër se shtëpia e shqiptarëve i përket Zotit dhe mysafirëve. Ju lutem, jeni të përgatitur, do t’ju ofrojmë më shumë kafe sesa mund të pini dhe më shumë ushqim sesa mund të hani. Për dy ditë, detyra jonë është që mundësitë t’i kthejmë në një bashkëpunim të fortë Kosovë-Gjermani”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Gjermania e ka mbështetur Kosovën në kohët më të vështira dhe ka qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e saj. Kurti ka përmendur edhe rritjen e eksporteve drejt Gjermanisë dhe kthimin në Kosovë të profesionistëve që kanë studiuar e janë trajnuar atje.
“Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Ekonomia jonë është rritur. Gjermania sjell përvojën, Kosova e sjell energjinë”, ka deklaruar kryeministri.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën përmes investimeve, duke vlerësuar potencialin e saj dhe popullsinë e re e të përgatitur.
“Ne shohim mundësi të reja së bashku, inteligjencën artificiale, tranzicionin energjetik dhe integrimin në tregjet evropiane. Kosova ka shumë për të ofruar, me një popullsi të re dhe inteligjente”, ka theksuar Rudolph.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli, ka vënë në pah interesimin e madh për pjesëmarrje në forum dhe rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.
“Sot ne duam që Kosova të ketë një vend më të fortë në ekonominë gjermane. Ky forum tregon se sa i madh është interesi për të punuar së bashku”, ka deklaruar Vasolli, duke shtuar se diskutimet do të përqendrohen në inteligjencën artificiale, energjinë, prodhimin e avancuar dhe industrinë.
Forumi do të vazhdojë edhe nesër, me takime biznes-me-biznes (B2B) ndërmjet kompanive gjermane dhe kosovare.

