Ministria e Arsimit ka njoftuar se sot gjatë ditës pritet të behet ekzekutimi i më shumë se 13 mijë prindërve të cilët ende nuk kanë pranuar mjetet financiare në llogaritë e tyre. Ndërkaq, njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë se vonesat në subvencionimin dhe sigurimin e teksteve kanë ardhur si pasojë e negocimit të çmimeve.
Viti shkollor ka filluar, por ende mijëra prindër nuk kanë pranuar në llogaritë e tyre mjetet financiare të subvencionimit për blerjen e teksteve shkollore.
Ndërkohë sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit sot pritet të behët ekzekutimi i mjeteve financiare për më shumë se 13 mijë prindër. Udhëheqësi i Divizionit për Zhvillim Profesional dhe Trajnim, Osman Beka i tha Radio Kosovës së subvencionimi i prindërve behët pas verifikimit të listave të nxënësve nga shkollat.
“Faktikisht Ministria e Financave është dashtë me i ekzekutua mjetet sot, sepse ne i kemi dërguar mbrëmë listat. Sot në mëngjes kemi komunikuar me ta dhe na kanë bërë me dije që i kanë në proces dhe besoj i kanë ekzekutua sot”, tha Beka.
“Diku janë 13 mijë 459 nxënës të cilat janë verifikuar nga shkollat dhe që do të subvencionohen në këtë fazë”,shtoi ai.
E njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë së ka disa arsye pse janë shkaktuar vonesat në sigurimin e teksteve dhe subvencionimin e e prindërve.
Xhavit Rexhaj i tha Radio Kosovës se negocimi i çmimit të teksteve shkollore ka ndikuar në vonesat e krijuara.
“Këtë vit përgatitjet kanë filluar më herët, si përzgjedhja e teksteve në shkolla, mirëpo megjithatë ky negocimi i vonuar i çmimit të teksteve ka ndikuar pak në vonesat e krijuara dhe që sot mos jenë tekstet në shkollë “, tha Rexhaj.
Sipas tij, MASHT po e vazhdon shprehinë e vonesës.
“Fatkeqësisht, shpresoja që këtë vit do të fillojmë mirë, po ja që, si duket, do të ketë vonesa ende”, tha ai.
Po ashtu, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se afati i aplikimit për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor nga klasat 1–9 është i hapur deri me 5 shtator.

