Wednesday, September 2, 2026
HomeGjeopolitikOpinionShkundja e qeverisë, jo thjesht rrokada e emrave!

Shkundja e qeverisë, jo thjesht rrokada e emrave!

Nga Vladimir Muçaj

Shkundja e qeverisë, jo thjesht rrokada e emrave!
Largimi i sotëm i Ministres së Shëndetësisë nga drejtimi i dikasterit nuk duket si një vendim i papritur. Përkundrazi, gjithçka të çon te një dorëheqje e menduar, e konsultuar dhe, mbi të gjitha, e miratuar nga Kryeministri Edi Rama.
Nuk po merremi këtë herë me rezultatet apo mosrezultatet e ministres. Po i biem shkurt: ajo e la postin që dikur iu besua dhe iu dhurua politikisht nga Kryeministri. Tashmë çështja nuk është më tek emri që largohet, por tek ajo që duhet të vijë pas tij.
Rama ka paralajmëruar dhe pritet të vijojë me ndryshime në kabinetin qeveritar. Por këto ndryshime nuk mund të jenë thjesht një rrokadë emrash nga një karrige në tjetrën. Ato janë imponuar nga një realitet politik dhe shoqëror që nuk mund të anashkalohet: problematikat e shumta që qytetarët ndeshin çdo ditë, pakënaqësitë në bazën e elektoratit, pavarësisht bindjeve politike, dhe një klimë gjithnjë e më kërkuese ndaj qeverisjes.
Edhe protestat, pavarësisht përmasave të tyre, nuk mund të mos kenë ndikimin e vet në vendimmarrjen e Kryeministrit. Ato janë një sinjal politik dhe social që një qeveri serioze duhet ta lexojë.
Prandaj, nëse Edi Rama kërkon të rifitojë besimin e qytetarëve, nuk i mjafton një ndryshim fasade. I duhet një “shkundje” reale e qeverisë.
Kjo do të thotë njerëz me profil, integritet dhe aftësi të provuara. Jo kolltukofagë të politikës, jo emra të konsumuar dhe aq më pak figura të lakuara publikisht për afera apo korrupsion. Një qeveri që kërkon të rikthejë besimin nuk mund të duket si një strehë për të njëjtët njerëz, vetëm me një karrige tjetër.
Ndoshta është koha që Rama të hedhë vështrimin edhe tek emra të vjetër të Partisë Socialiste, njerëz me eksperiencë politike e administrative, por edhe tek intelektualë me integritet, profesionistë që nuk janë përzier në pazaret e politikës së ditës dhe që nuk janë prodhim i laboratorëve të ashtuquajtur “shoqëri civile”, shpesh të kapur nga interesat politike.
Ndryshimi i ministrave mund të jetë teknik. Por ndryshimi i qeverisjes duhet të jetë politik dhe substancial.
Në fund të fundit, qytetari nuk pyet vetëm se kush u ul në karrigen e ministrit. Ai pyet çfarë do të ndryshojë për të.
Dhe kjo është sfida e vërtetë që ka sot Edi Rama: të ndryshojë emrat, apo të ndryshojë mënyrën se si qeveriset?
Sepse nëse bëhet vetëm rrokadë kolltukësh, atëherë nuk kemi shkundje të qeverisë. Kemi thjesht një qeveri me të njëjtën fytyrë, por me kostume të ndryshuara.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram