Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se 40 vjet pas publikimit të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), vazhdon të jetë e rëndësishme të studiohen rrethanat në të cilat u hartua ky dokument, idetë që artikuloi dhe ndikimi që pati në diskursin politik e shoqëror të Serbisë.
Kurti i bëri këto deklarata në një tryezë shkencore të organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri”, ku u diskutua për memorandumin e SANU-së, rolin e elitave intelektuale serbe dhe ndikimin e ideologjisë nacionaliste në zhvillimet që pasuan në ish-Jugosllavi.
Sipas Kurtit, memorandumi u shfaq në një periudhë krize të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore në ish-Jugosllavi dhe artikuloi një interpretim të pozitës së serbëve në federatë, të mbështetur mbi narrativën e viktimizimit.
“Kosova zinte vend të veçantë në këtë interpretim”, tha Kurti, duke shtuar se ky diskurs u përvetësua nga politika dhe u bë pjesë e gjuhës përmes së cilës u arsyetuan ndërhyrjet gjithnjë e më të mëdha të shtetit serb në rendin kushtetues-juridik të ish-Jugosllavisë.
Kryeministri theksoi se rëndësia e memorandumit lidhet edhe me raportin ndërmjet dijes shkencore, autoritetit intelektual dhe pushtetit politik.
“Kur ky autoritet përdoret për t’u dhënë karakter shkencor paragjykimeve etnike ose pretendimeve politike, pasojat mund të shkojnë shumë më larg se debati akademik”, deklaroi ai.
Ai tha se pas kësaj pasuan suprimimi i autonomisë së Kosovës, largimet masive të shqiptarëve nga institucionet publike dhe ndërmarrjet ekonomike, diskriminimi sistematik, represioni shtetëror dhe më vonë lufta.
Sipas Kurtit, rruga nga ideologjia te dhuna është komplekse, por historia e ish-Jugosllavisë dëshmon se prodhimi i narrativave, legjitimimi i tyre nga autoritete publike e akademike dhe përvetësimi nga pushteti mund të krijojnë klimën politike dhe morale ku diskriminimi normalizohet dhe dhuna bëhet e pranueshme si mjet politik.
Ai kërkoi që memorandumi i SANU-së dhe roli i elitave intelektuale serbe të asaj kohe të vazhdojnë të studiohen përmes dokumenteve dhe burimeve kredibile, me metodologji shkencore.
“Përgjegjësia historike kërkon saktësi. Kërkon të identifikohen idetë, politikat, institucionet dhe individët që i formuluan, i promovuan dhe i zbatuan ato”, tha Kurti.
Kryeministri foli edhe për nevojën e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ruajtjes së dëshmive dhe studimit të proceseve që çuan drejt tyre.
Ai theksoi se pasojat e politikave të viteve ’90 vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë, duke përmendur familjet e viktimave, personat e pagjetur, dokumentet, arkivat dhe dëshmitë e të mbijetuarve.
Kurti u ndal edhe te mënyra se si Serbia e trajton të kaluarën e saj të luftës.
Ai e quajti paradoks faktin që, sipas tij, në Serbi vazhdon glorifikimi i figurave të dënuara për krime lufte.
Kurti përmendi rastin e Ratko Mlladiqit, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime lufte, duke kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për atë që e cilësoi si nderim ndaj figurave të tilla.
“Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim”, deklaroi Kurti.
Kurse drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala Peli, ka theksuar rëndësinë e studimit të dokumenteve dhe ideve politike që kanë ndikuar në zhvillimet në ish-Jugosllavi gjatë dekadave të fundit të shekullit XX.
Peli tha se analiza e dokumentit, e përmbajtjes së tij, dimensionit ideologjik dhe ndikimit në zhvillimet e mëvonshme politike është e rëndësishme për të kuptuar rrjedhat që çuan drejt luftërave shkatërruese në ish-Jugosllavi.
“Studimi i këtij dokumenti, i ideve të artikuluara në të dhe i ndikimit të tyre në zhvillimet e mëvonshme është i një rëndësie të veçantë për të kuptuar rrjedhat që çuan drejt luftërave shkatërruese në ish-Jugosllavi dhe në mënyrë të veçantë politikën e represionit dhe të dhunës ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Peli.
Ajo theksoi se përballja me të kaluarën është përgjegjësi e institucioneve kërkimore-shkencore dhe duhet të mbështetet në dokumente, fakte dhe analiza kritike.
“Vetëm një studim i mbështetur në të vërtetën, në faktet dhe në analizën kritike mund t’u shërbejë brezave të ardhshëm dhe ruajtjes së kujtesës historike”, u shpreh drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”.
Sipas saj, tryeza shkencore nuk duhet të shihet vetëm si përkujtim i një dokumenti me rëndësi historike, por edhe si mundësi për të thelluar debatin shkencor mbi ideologjinë, projektet politike dhe pasojat e tyre historike.
“Prandaj, kjo tryezë nuk është vetëm një përkujtim i një dokumenti me rëndësi historike, por edhe një mundësi për të thelluar debatin shkencor mbi ideologjinë, projektet politike dhe pasojat e tyre historike”, tha Peli.

