Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka paralajmëruar një fazë të re të veprimit të këtij subjekti politik, duke kundërshtuar atë që e konsideron shkelje të Kushtetutës dhe mosrespektim të vendimeve të institucioneve të drejtësisë.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku janë mbledhur deputetë të PDK-së dhe Aleancës, Hamza tha se për javë të tëra deputetët e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.
Sipas tij, situata e krijuar nuk mund të shihet vetëm si një përplasje politike mes partive.
“Kjo që ka ndodhur nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë politike. Nuk është konflikt mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk është konflikt mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit. Është konflikt mes një mënyre autoritare të ushtrimit të pushtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Hamza.
Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, pushteti po trajton vendimet e institucioneve të drejtësisë.
“Në demokraci, edhe kur nuk të pëlqen Kushtetuta, nuk e shkel atë. Kur nuk të pëlqen një vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk sillesh sikur ai nuk ekziston”, tha ai.
Hamza e kundërshtoi edhe caktimin e vazhdimit të seancës konstituive për 9 shtator, duke pretenduar se kjo datë është përtej afatit prej 30 ditësh, të cilin, sipas tij, e kishte përcaktuar vetë Vetëvendosje.
“Kuvendi i Kosovës nuk mund të presë derisa një parti t’i përfundojë kalkulimet e veta. Kuvendi është institucion i Republikës së Kosovës”, theksoi kreu i PDK-së.
Hamza tha se PDK-ja nuk do të pranojë që shkeljet kushtetuese të normalizohen dhe se vendimet e gjykatave duhet të respektohen pavarësisht interesave politike.
Kreu i PDK-së paralajmëroi se partia do të shqyrtojë forma të tjera të veprimit politik, institucional dhe juridik për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë dhe për ta kthyer Kosovën në binarët e ligjshmërisë.

