Zejdush KASTRATI
Ka një specie të veçantë të “intelektualit” kosovar që nuk ka problem të ndërrojë bindje, parti, qëndrime e miqësi politike. Problemi i vetëm është që ende nuk i është dhënë pozita që, sipas tij, e meriton.
Paslufta e gjeti diku, pastaj e pa në PDK, më vonë në LDK, pastaj në AAK, dhe se fundi perseri Ldk… Gjithmonë afër pushtetit, gjithmonë me një arsyetim të ri dhe gjithmonë me një CV që pret të shpërblehet.
Nëpër ndeja politike qarkullon edhe lajmi se “ka kërkesë” për të bërë ministër. Aplikon për borde. Refuzohet. Provon përsëri. Refuzohet përsëri.
Pastaj vjen një pushtet tjetër.
Fillon promovimi i tij. Lavdërohet lideri. Lavdërohet vizioni. Dërgohen mesazhe deri te njerëzit më të besuar të liderit. Jepet sinjali: “Jam këtu, nëse ka nevojë për një ministër, drejtor apo ndonjë pozitë tjetër të rëndësishme.”
Por… asgjë.
Dhe këtu fillon pjesa më interesante.
Adhuruesi i djeshëm bëhet armiku i sotëm.
Lideri që dje ishte “shpresë”, sot është “dështim”. Pushteti që dje lavdërohej, sot paska “ditët e numëruara”. Natyrisht, gjithçka dihet nga “burime shumë të sigurta”.
Dhe, si gjithmonë, nuk mungojnë as parashikimet politike: edhe Albini, edhe Vjosa paskan ditët e numëruara!
Kur nuk të hapet dera e pushtetit, bëhu profet i rënies së tij. Është një formulë e vjetër, por ende funksionon.
Ky profil ka edhe një karakteristikë tjetër: nuk e pranon lehtë mendimin ndryshe. Mendimi i tij është analizë; mendimi i tjetrit është injorancë. Ai është intelektual; tjetri është i shitur. Ai është patriot; tjetri është tradhtar. Ai është analist; tjetri “nuk kupton politikë”.
Pastaj, për ta kompletuar portretin, shfaqet herë si poet, herë si shkrimtar, herë si politolog, herë si analist, herë si humanist, herë si edukues brezash, herë si çlirimtar, herë si atdhetar…
Një njeri, dhjetëra profesione, një mijë epitete!
Dhe gjithmonë me një “mision” të madh për kombin.
Në fakt, ky është më shumë se profili i një personi.
Është profili i një fenomeni që po na bëhet gjithnjë e më i zakonshëm:
intelektuali që nuk e ndërton autoritetin mbi qëndrimet e veta, por mbi afërsinë me pushtetin; që nuk ndryshon mendim sepse ka reflektuar, por sepse ka ndryshuar adresa; që nuk e kritikon pushtetin për parime, por pasi pushteti nuk e ka marrë në telefon.
Dhe ndoshta këtu qëndron ironia më e madhe:
Disa nuk duan të jenë pranë pushtetit për ta ndryshuar atë. Duan pushtetin pranë vetes, që t’i ndryshojë ata.
Ky është “intelektuali tallava” i ditëve tona:
pak poet, pak politolog, pak patriot, pak analist, pak humanist…
Por mbi të gjitha:
gjithmonë kandidat për diçka!

