Saturday, September 12, 2026
HomeLajmeKosovëLirjona: UÇK-ja për mua nuk është slogan, nuk është politikë, është amanet

Lirjona: UÇK-ja për mua nuk është slogan, nuk është politikë, është amanet

Në emër të familjeve të dëshmorëve, në marshimin në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur Lirjona Sylejmani, e bija e dëshmorit të kombit Bajram Sylejmani.

Sylejmani ka rrëfyer para të pranishmëve dhimbjen e rritjes pa babain, por edhe krenarinë që familja e saj i dha luftës për liri dy dëshmorë, babain dhe axhën e saj .

“Unë, çika e Bajramit, u rrita me një mungesë që nuk u plotësua kurrë. U rrita me mallin e fëmijës që kërkon figurën e babait, që ëndërron fytyrën, aromën, buzëqeshjen e përqafimin e tij”, tha ajo.

Ajo kujtoi se dy vëllezërit, Bajrami dhe Gurseli, ranë dëshmorë brenda pak minutash nga njëri-tjetri, ndërsa theksoi sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.

“Krah dhembjes, u rrita edhe me krenarinë se familja ime luftës për liri i dha dy heronj: babin dhe xhaxhin Gursel”, u shpreh Sylejmani.

Duke folur për UÇK-në, ajo tha se për të kjo nuk është vetëm një emërtim, por lidhet drejtpërdrejt me historinë dhe sakrificën e familjes së saj dhe të shumë familjeve të tjera.

“Prandaj, kur unë dëgjoj fjalën UÇK, nuk shoh vetëm tri shkronja. Shoh babin e axhën, shoh shokët e shoqet e tyre që nuk u kthyen kurrë, shoh edhe luftëtarët e luftëtaret që u kthyen me plagë në trup e në zemër”, tha ajo.

Sylejmani përmendi edhe nënat dhe fëmijët e dëshmorëve, duke thënë se shumë prej tyre u rritën me mungesën e prindërve të vrarë gjatë luftës.

“Kur përmendet UÇK-ja, shoh një popull që në ditët më të vështira të historisë vendosi që më mirë të vdesë në këmbë se sa të jetojë i gjunjëzuar. Kjo ishte UÇK-ja”, deklaroi ajo.

Ajo theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte pronë e një individi, familjeje apo treve, por, sipas saj, ishte përgjigje e një populli që luftoi për liri.

“Prandaj, UÇK-ja për mua nuk është slogan, nuk është politikë, është amanet”, tha Sylejmani.

Duke iu referuar ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, ajo përmendi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

“Sot po gjykohet pjesa më e ndritshme e historisë. Sot po tentohet të ndryshohet e vërteta”, u shpreh ajo.

Sylejmani tha se beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe kërkoi drejtësi për çlirimtarët.

“Unë dua drejtësi për çlirimtarët!”, tha ajo, duke u shoqëruar me brohoritje të turmës për UÇK-në.

Në pjesën e fundit të fjalimit, ajo bëri thirrje për unitet politik e shoqëror në Kosovë, duke iu referuar figurës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

“Kosova nuk ka nevojë për më shumë mure mes nesh! Ka nevojë për një urë që na bën të kuptojmë se interesi për atdheun duhet të tejkalojë çdo interes personal e partiak”, tha Sylejmani.

Ajo e përmbylli fjalimin me një mesazh për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Nderim përjetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Drejtësi për ushtarët e lirisë që sot presin në Hagë, Kosova ju pret!”, përfundoi Lirjona Sylejmani.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram