Saturday, September 12, 2026
HomeLajmeKosovëBedri Hamza: Kur preket UÇK-ja, ne ringrihemi

Bedri Hamza: Kur preket UÇK-ja, ne ringrihemi

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në marshin në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka bërë thirrje për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe ka kërkuar drejtësi në procesin gjyqësor në Hagë.

Në fjalimin e tij para qytetarëve, Hamza tha se Kosova po pret vendimin që pritet të shpallet më 16 shtator, duke theksuar se ky vendim, sipas tij, do të ndihet edhe në Kosovë.

“Dhe kemi ardhur për të thënë: Kosova po pret. Po e pret drejtësinë. Edhe tri ditë e pak orë. Vetëm edhe tri ditë e pak orë janë deri më 16 shtator, deri në vendimin. Një vendim që do të lexohet në Hagë. Një vendim që në Kosovë jo vetëm që do të dëgjohet, por edhe do të ndihet”, tha Hamza.

Ai tha se vendimi do të prekë familjet e dëshmorëve, veteranët e UÇK-së dhe familjet që kanë përjetuar pasojat e luftës.

“Prandaj, atyre që marrin vendimin sot nga ky shesh ju themi: mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator!”, u shpreh kreu i PDK-së.

Hamza theksoi se një vendim i drejtë, sipas tij, e forcon drejtësinë, ndërsa një vendim i padrejtë do të ishte “dënim për Kosovën”.

“Një vendim i drejtë e forcon drejtësinë, por një vendim i padrejtë e shkatërron atë. Vendimi i padrejtë mbi të gjitha është dënim për Kosovën. Dhe padrejtësinë nuk e pranojmë!”, deklaroi ai.

Kryetari i PDK-së tha se fjalët e tij nuk janë të nxitura nga zemërimi, por nga përgjegjësia, duke kujtuar periudhat e pritjes dhe vuajtjeve të popullit të Kosovës.

“Ne jemi popull që kemi pritur. Kemi pritur djemtë tanë të kthehen nga lufta, kemi pritur të gjenden të zhdukurit që 27 vjet, kemi pritur lirinë. Por liria nuk erdhi vetë”, tha Hamza.

Ai theksoi se, pasi rrugët e paqes u mbyllën, populli i Kosovës u ngrit për ekzistencë, dinjitet dhe liri.

Sipas Hamzës, UÇK-ja dhe demokracitë perëndimore ishin në të njëjtën anë gjatë luftës, ndërsa ky partneritet, sipas tij, kontribuoi në çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit të saj.

Hamza përmendi disa prej figurave të luftës dhe ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke thënë se ata ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për Kosovën.

“Ata u ngritën për Kosovën për ta mbrojtur, dhe sot, kurdo që duhet, Kosova ngrihet për t’i mbrojtur ata!”, tha ai.

Hamza deklaroi se historia e Kosovës nuk duhet të rishkruhet dhe se e vërteta, sipas tij, nuk mund të zhduket.

“E vërteta mund të sfidohet, mund të vihet në pikëpyetje, por ajo nuk zhduket. Dhe e vërteta është se UÇK-ja lindi pas represionit serb dhe dëbimeve, pas terrorit, pas shtëpive të djegura, pas varreve”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, Hamza tha se UÇK-ja duhet të kujtohet, nderohet dhe mbrohet.

“Kjo është historia që mbajmë mend. Kjo është UÇK-ja që e kujtojmë, e nderojmë dhe e mbrojmë. Prandaj, kur preket UÇK-ja, ne ringrihemi! Si sot, si kurdo që kërkon nevoja!”, pohoi Hamza.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram