Saturday, September 12, 2026
HomeLajmeKosovëBuna Mustafa: Drejtësia s’mund t’i barazojë çlirimtarët me xhelatët serbë

Buna Mustafa: Drejtësia s’mund t’i barazojë çlirimtarët me xhelatët serbë

Buna Mustafa, e bija e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali, ka folur në marshimin në mbështetje të ish-krerëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Në fjalimin e saj, Mustafa ka folur për luftën e UÇK-së, sakrificën e familjeve të dëshmorëve dhe viktimat e luftës në Kosovë, duke thënë se e vërteta për luftën çlirimtare, sipas saj, nuk mund të barazohet me krimet e kryera nga forcat serbe.

Ajo tha se UÇK-ja ishte një ushtri e krijuar nga populli dhe se, sipas saj, nuk kishte terrorizuar civilë apo kryer dhunë ndaj grave dhe fëmijëve.

“Një ushtri që u zgjua nga populli dhe krijoi uniformën e vet, me të cilën nuk terrorizoi asnjë civil, nuk dhunoi e nuk abuzoi me asnjë grua e asnjë fëmijë të përkatësisë tjetër”, tha Mustafa.

Duke folur për pasojat e luftës, ajo përmendi numrin e viktimave civile, fëmijëve të vrarë, personave të dhunuar seksualisht dhe të zhdukurve, si dhe masakrat dhe varrezat masive.

Mustafa theksoi se, sipas saj, dallimi mes UÇK-së dhe forcave serbe është i pakrahasueshëm.

“Andaj, hendeku është aq i madh saqë drejtësia e vërtetë nuk mund të barazojë kurrë ushtarët çlirimtarë me xhelatët serbë!”, u shpreh ajo.

Ajo tha se luftëtarët e UÇK-së ishin të gatshëm të sakrifikonin jetën për lirinë e Kosovës.

“Por çlirimtarët tanë e dinin më së miri se çfarë është jeta dhe liria. Ata ishin të gatshëm të vdisnin për të, dhe disa edhe vdiqën, që ne, të gjallët që jemi sot këtu, të jetojmë me respekt dhe me dinjitet, dhe jo të kokulur, me nënshtrim dhe me frikë!”, tha Mustafa.

Në fjalimin e saj, ajo përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që po përballen me proceset në Hagë, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe ish-pjesëtarët Pjetër Shala e Salih Mustafa.

“Çlirimtarët si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala e Salih Mustafa, ishin njerëzit e duhur në momentin e duhur”, deklaroi ajo.

Mustafa tha se këta persona, sipas saj, ishin pjesë e një historie të gjatë të përpjekjeve për lirinë e Kosovës.

“Në një histori qindvjeçare të përpjekjeve për autonomi, ishin ata që sollën lirinë”, u shpreh ajo.

Në fund të fjalimit, Buna Mustafa ka përcjellë një mesazh të babait të saj, Salih Mustafa.

“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme. Çlirimtarë, ju presim! Dëshmorë, lavdi!”, tha ajo, duke e përmbyllur fjalimin e saj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram