Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e LDK-së, komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.
Pas përfundimit të votimeve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka konstatuar se legjislatura e XI e Kuvendit të Kosovës konsiderohet e konstituuar.
“Me këtë rast konstatoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar. Shihemi në seancën e radhës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se, përkundër thirrjeve të sërishme që Partia Demokratike e Kosovës të marrë pjesë në seancë, deputetët e kësaj partie nuk ishin të pranishëm.
Haxhiu ka thënë se, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, askush nuk mund ta mbajë të bllokuar procesin e konstituimit.
Në seancë, Kujtim Shala është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit me 75 vota për.
Nga komuniteti serb, Tanja Vujoviq është zgjedhur nënkryetare me 62 vota për, gjashtë kundër dhe tri abstenime.
Ndërsa nga komunitetet joshumicë joserbe, Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare me 70 vota për dhe shtatë abstenime.
Haxhiu ka bërë të ditur gjithashtu se deputetët do të njoftohen për formimin e grupeve parlamentare.
Me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi ka përmbyllur seancën konstituive të legjislaturës së re.
LIVE/ Kujtim Shala zgjidhet nënkryetar i Kuvendit
(E përditësuar) Kujtim Shala është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës në vazhdimin e seancës konstituive, me 75 vota për.
Ndërkohë, kandidatët e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit nuk kanë marrë votat e nevojshme.
Slavko Simiq mori tetë vota për, 65 kundër dhe dy abstenime.
Pas tij, as Igor Simiq nuk arriti të zgjidhej nënkryetar. Për të votuan tetë deputetë, ndërsa 62 ishin kundër.
Seanca konstituive ishte thirrur për në orën 10:00.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancë.
LIVE/ Nis me vonesë seanca konstituive, të pranishëm 82 deputetë
(E përditësuar) Pas rreth 30 minutash vonesë ka nisur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila ishte paraparë të fillonte në orën 10:00.
Në sallë janë të pranishëm 82 deputetë, përfshirë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe disa përfaqësues të komuniteteve.
Në rend dite është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
LIVE/ Vonohet seanca konstituive e Kuvendit
(E përditësuar) Edhe pse ishte paraparë të niste në orën 10:00, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka filluar. Derisa RTK po transmeton drejtpërdrejt nga Kuvendi, në sallë tashmë kanë nisur të mbërrijnë disa deputetë.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancë.

