Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar në një konferencë për medie se partia e tij do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së Qeverisë.
Gruda tha se PDK-ja është tërhequr përkohësisht nga pjesëmarrja në seanca, duke e cilësuar këtë si mjetin e vetëm demokratik që i ka mbetur partisë për të kundërshtuar, sipas tij, shkeljet kushtetuese.
“U shpikën lloj-lloj absurditetesh, lloj-lloj procedurash për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit”, tha Gruda.
Ai theksoi se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga kandidatura e saj për nënkryetare të Kuvendit, por vetëm është tërhequr përkohësisht nga procesi deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“PDK-ja nuk ka refuzuar propozimin e nënkryetares së Kuvendit. Duke mos refuzuar propozimin, Kuvendi s’ka mundur të konstituohet”, deklaroi ai.
Sipas Grudës, konstituimi i Kuvendit është bërë jashtë afateve kushtetuese dhe për këtë arsye, sipas tij, ekzistojnë pikëpyetje të mëdha kushtetuese për legjitimitetin e tij.
Gruda bëri me dije se PDK-ja do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese edhe zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ai tha se kontestimi do të bëhet mbi disa baza, ndërsa si çështje kryesore përmendi votimin e deputetëve që, sipas tij, kanë mbajtur mandate të dyfishta.
“Kanë votuar deputetë që mbajnë mandate të dyfishta, pa dhënë dorëheqje, kanë qenë edhe ministra në dorëheqje, kanë qenë edhe deputetë”, tha Gruda.
Ai shtoi se PDK-ja synon ta dorëzojë kërkesën brenda afatit kushtetues prej tetë ditësh nga mbajtja e seancës.
Gruda bëri me dije gjithashtu se PDK-ja do të dorëzojë kërkesë të veçantë në Kushtetuese, ndërsa tha se deputetët e partisë së tij mund t’i ofrojnë nënshkrimet e nevojshme Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nëse kjo parti ka nevojë për plotësimin e numrit prej 10 deputetësh.
“Kjo dëshmon se e gjithë propaganda ndaj Listës Serbe është një lojë politike që bëhet, sepse në fund ata e pranojnë nënkryetarin e tyre edhe ishin prezentë edhe kur u zgjodh Qeveria”, theksoi tutje ai.
“Ky Kuvend ka problem me kushtetutshmërinë e vet, me legjitimitetin e vet sepse ka kaluar çdo afat. Kështu që nuk mund të marrim pjesë në një Kuvend të tillë”, përfundoi Gruda.

