Dhkruan:Dr. Hysni Aliu
-Forca e një individi, e një populli, e një kombi dhe serioziteti i një shteti nuk maten vetëm në ditët e mira. Ato dëshmohen pikërisht atëherë kur vjen një ditë e vështirë dhe kur duhet ta kontrollojmë emocionin, ta përdorim arsyen dhe të mos lejojmë që dhimbja të na udhëheqë drejt gabimeve të reja.
Një ditë e tillë për Kosovën mund të jetë 16 shtatori.
Atë ditë do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish-ministrit e deputetit Rexhep Selimi — katër ish-krerëve të UÇK-së.
E përdor me vetëdije shprehjen “ish-krerët e UÇK-së”, sepse kështu duhet t’u drejtohemi. Ata kanë mbajtur poste të larta shtetërore, por mbi të gjitha janë njerëz që lidhen me një kapitull vendimtar të historisë së Kosovës. T’u mohohet kjo peshë me fjalor përçmues do të ishte mungesë respekti për historinë dhe për sakrificën e tyre.
Unë nuk e di se cili do të jetë vendimi.
Askush prej nesh nuk e di.
Prandaj nuk dua të merrem me atë se kush është fajtor dhe kush është i pafajshëm. Për këtë janë zhvilluar vite të tëra procesi gjyqësor dhe për këtë do të flasë Gjykata.
Por dua të flas për ne.
Për mënyrën se si do të sillemi si popull kur ta dëgjojmë atë vendim.
Qëndrimi im ndaj kësaj Gjykate
Dua ta them qartë edhe qëndrimin tim personal.
Kam shkruar shumë kundër formimit të kësaj Gjykate, sepse ajo gjykon vetëm një etni dhe sepse u formua si rrjedhoje e akuzave monstruoze. Kam ngritur zërin kundër një mekanizmi që, në sytë e shumë njerëzve, e vendos vetëm njërën palë të luftës nën përgjegjësi penale, ndërsa krimet dhe përgjegjësitë e palës tjetër nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë.
Por zëri im nuk u dëgjua.
Kam qarë kur Ramush Haradinaj u dërgua në Hagë. Kam qenë i shqetësuar dhe i pikëlluar edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe ish-ministrin e deputetin Rexhep Selimi, sepse deshtem ose s deshtem janë edhe identiteti ynë.
Nuk e di a kan berë diqka te keqe as nuk e dija per Z Haradinajn pore e di dhe e dija qe kan sakrifikue jeten dhe ter qenjen e tyre per Kosoven deri me 2000 pore edhe më vonë.
A kan ber gabime pas luftes, sa i perket te vepruari politik? po edhe shume bile, dhe Kosova ka paguar qmimin e madhe pore edhe kan bere pune shume te mira per te cilat jemi mirenjohes si popull e si komb. Nuk ka njeri qe nuk gabon e sidomos nuk ka udheheqes politik qe nuk gabon sepse jemi njerez dhe mbi te gjitha jo gjithaka mvaret nga ne. Politika don edhe kompromise te cilat ne momente të caktuara munde te jene te domosdoshme porë me vonë vertetohen si te gabuara, sepse e ardhmje eshte ne shumicen e gjerave e paparashikueshme, andaj duhet te falim si popull.
Por duhet ta pranojmë edhe një realitet: kur formon një gjykatë, duhet ta dish se ajo nuk përjashton askënd nga lista. Ajo e kryen detyrën për të cilën është formuar, pavarësisht se ne mund ta kemi kundërshtuar formimin e saj.
Ramush Haradinaj sot është i lirë. Kjo na tregon se një aktakuzë nuk është aktgjykim dhe se një proces gjyqësor nuk duhet të paraprihet nga dënimi publik.
Pikërisht për këtë duhet të jemi të matur. Mund të jemi kundër formimit të Gjykatës, mund ta kritikojmë faktin se ajo gjykon vetëm një etni dhe mund ta konsiderojmë të padrejtë këtë qasje. Por, për sa kohë që procesi ekziston, vendimi duhet të përballet me mjete juridike dhe me argumente — jo me kaos.
Pyetja që duhet ta bëjmë
Më shqetësojnë deklaratat se, nëse dënohen këta katër ish-krerë të UÇK-së, “do të kallët shqiptaria” dhe “do të çohen shqiptarët”: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, shqiptarët në Mal të Zi dhe diaspora.
Të ndalemi vetëm një moment dhe të mendojmë racionalisht.
Kundër kujt do të çohemi?
Dhe çfarë do të fitojmë?
Nëse, për ta mbrojtur UÇK-në, e dëmtojmë Kosovën, atëherë kë kemi mbrojtur?
A po kerkojnë edhe nje gjykatë tjeter?
Nëse, për t’i mbrojtur njerëzit që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetin tonë, e destabilizojmë pikërisht atë shtet, atëherë ku është logjika?
Kjo është sikur ta duash aq shumë shtëpinë tënde, sa nga zemërimi vendos t’i vësh zjarrin.
Dhe pastaj?
Kush e rindërton?
Të përgatitemi edhe për lajmin e rëndë
Prandaj populli duhet të përgatitet psikologjikisht për 16 shtatorin.
Jo vetëm për vendimin që dëshirojmë.
Edhe për vendimin që nuk dëshirojmë.
Le ta mendojmë sot edhe skenarin më të rëndë.
Po sikur ish-presidenti Hashim Mos dasht Zoti te denohet!
Po sikur ish-kryeparlamentari Kadri Veseli të dënohe. Mos dashtë Zoti!
Po sikur ish-ministri dhe deputeti Rexhep Selimi te denohet. Mos dashtë Zoti!
Po sikur ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi të dënohet. Mos dashtë Zoti
Mund të lirohen të katërt. Mund të dënohet njëri dhe të lirohet tjetri. Mund të marrin dënime shumë më të vogla ose shumë më të mëdha.
Madje, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej tyre.
Pra, le ta lejojmë mendjen tonë sot ta përfytyrojë edhe lajmin më të rëndë, në mënyrë që nesër emocioni të mos na marrë përpara arsyes.
Në gjithë këtë situatë ka edhe një element që duhet ta shohim me kthjelltësi.
Ka keq dhe më keq.
Ka mirë dhe më mirë.
Akuzat për “tregti me organe” kanë qenë ndër akuzat më të rënda dhe më tronditëse që janë ngritur ndaj UÇK-së dhe ndaj figurave të saj. Ato kanë rënduar mbi Kosovën që nga fillimi dhe kanë krijuar një dëm të madh moral e politik.
Nëse këto akuza nuk do të ishin hequr si të pa bazuata në këtë proces, dëmet që do t’i bëheshin Kosovës do të ishin të paparashikueshme.. Debatet dhe pasojat do të mund të ishin edhe më të rënda, ndoshta të përjetshme në kujtesën ndërkombëtare.
Prandaj, edhe nëse dënohen këta ish-krerë të UÇK-së, duhet të kërkojmë një arsye për të qenë të lehtësuar nëse akuza më e rëndë nuk qëndron. Kjo nuk do të thotë se duhet të gëzohemi për dënimin e askujt. Do të thotë vetëm se duhet ta dallojmë të keqen nga e keqja më e madhe.
Ndonjëherë, në një situatë të rëndë, nuk ke përpara vetëm zgjedhjen mes së mirës dhe së keqes. Ke edhe zgjedhjen mes së keqes dhe një dëmi shumë më të madh.
Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të matur në vlerësimet tona dhe të mos e humbim aftësinë për ta parë tërë pamjen.
Çfarë bëjmë pas vendimit?
Le ta imagjinojmë:
16 shtator. Lexohet vendimi. Ish-presidenti Hashim Thaçi, Ish-kryeparlamentari Kadri denohet Ish-ministri dhe deputeti Rexhep Selimi denohet. Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi denohet.
Çfarë bëjmë pastaj?
A e djegim Kosovën?
A sulmojmë institucionet?
A përleshemi me Policinë e Kosovës?
A përleshemi me KFOR-in?
A e destabilizojmë shtetin për të cilin pikërisht këta njerëz kanë luftuar?
Dhe kujt i bëjmë dëm?
Ish-presidentit Hashim Thaçi?
Ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli ?
Ish-ministrit dhe deputetit Rexhep Selimi?
Ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi?
Po të gjithëve
Dëmin ia bëjmë mbi të gjitha Kosovës.
Këtu duhet të vendoset kufiri.
Protestë psikologjike po, shkatërrim jo
Secili njeri ka të drejtë të jetë i zemëruar. Ka të drejtë të qajë. Ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore. Ka të drejtë ta konsiderojë vendimin të drejtë ose të padrejtë. Ka të drejtë ta kritikojë Gjykatën.
Por askush nuk ka të drejtë që emocionin e vet personal ta shndërrojë në zjarr për një popull të tërë.
Sidomos jo njerëzit me ndikim publik.
Njeriu që ka autoritet mbi masën, në një moment të tillë, ka përgjegjësi shumë më të madhe se qytetari i zakonshëm.
Ai duhet ta shuajë zjarrin, jo ta ndezë atë.
Mos i përdorim plagët si benzinë
Populli ynë ka ende plagë të luftës.
Kemi njerëz që kanë humbur babanë, nënën, vëllanë, motrën apo fëmijën. Kemi njerëz që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Kemi viktima të torturës dhe të dhunës seksuale. Kemi familje që ende kërkojnë të zhdukurit e tyre.
Këto dhimbje janë të vërteta dhe të thella. Por ato nuk duhet të përdoren si benzinë politike.
Dhimbja kërkon drejtësi, jo kaos.
Zemërimi kërkon përgjegjësi, jo dhunë.
Sakrifica nuk duhet t’i kërkohet Kosovës
Dua ta them edhe një gjë që mund të jetë e vështirë për t’u dëgjuar.
Këta burra, kur hynë në luftë, e dinin se mund të mos ktheheshin të gjallë. Ata ishin të gatshëm të flijoheshin në luftë. Zoti deshi dhe mbijetuan.
Nëse historia ua kërkon sot një sakrificë tjetër, këtë herë në paqe dhe përmes një procesi juridik, atë barrë duhet ta mbajnë ata dhe institucionet juridike — jo ta paguajë Kosova me destabilizimin e saj.
Sepse Kosova është më e madhe se ish-presidenti Hashim Thaçi.
Kosova është më e madhe se ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.
Është më e madhe se ish-ministri dhe deputeti Rexhep Selimi.
Është më e madhe se ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Ishte me e madhe se Familja Jashari e Vllezerit Haradinaj e mijera heronje të tjerë.
Dhe është më e madhe se secili prej nesh.
Kjo nuk ia zvogëlon askujt kontributin. Përkundrazi.
Pikërisht me faktin që këta njerëz kanë luftuar për krijimin e Kosovës, mënyra më e keqe për t’i “mbrojtur” do të ishte dëmtimi i asaj që ata ndihmuan të ndërtohej.
Të mos e harrojmë kush na ndihmoi
Duhet të kujtojmë gjithashtu se ku ishim ne në vitin 1998 dhe 1999.
Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe aleatët e tjerë perëndimorë, historia e Kosovës mund të kishte përfunduar krejt ndryshe.Kjo ështe gjykatë e Kosoves dhe perendimit.
Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm që zemërimin ndaj një vendimi gjyqësor të mos e shndërrojmë në armiqësi ndaj botës perëndimore.
Mund ta kritikojmë një vendim.
Mund ta konsiderojmë të padrejtë.
Mund të kundërshtojmë faktin se kjo Gjykatë gjykon vetëm një etni.
Avokatët mund ta kundërshtojnë juridikisht dhe të përdorin të gjitha mjetet që lejon sistemi.
Por kjo është krejtësisht tjetër nga ideja se “do të kallët shqiptaria” ose se “do të çohen shqiptarët.”
Një Kosovë e destabilizuar, e përplasur me institucionet e veta dhe me partnerët ndërkombëtarë do të ishte pikërisht fotografia që kundërshtarët e Kosovës do të dëshironin t’ia tregonin botës.
Mos ua bëjmë atë dhuratë.
Prandaj nuk dua që njerëzit të përgatiten vetëm duke thënë:
“Do të lirohen.”
Dua të jemi aq të fortë sa të themi:
Edhe nëse dënohen, ne do ta përballojmë.
Edhe nëse ish-presidenti Hashim Thaçi dënohet.
Edhe nëse ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dënohet.
Edhe nëse ish-ministri dhe deputeti Rexhep Selimi dënohet..
Edhe nëse ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dënohet..
Do të dhembë.
Do të ketë zemërim.
Do të ketë zhgënjim.
Por Kosova do të vazhdojë.
Sepse një popull i fortë nuk është ai që nuk ka emocione. Një popull i fortë është ai që, edhe kur emocioni është maksimal, arrin të mos e humbë arsyen.
16 shtatori nuk është fundi
Më 16 shtator nuk kemi nevojë t’i tregojmë botës sa fort dimë të bërtasim.
Duhet t’i tregojmë sa të fortë jemi për ta përballuar edhe atë që nuk dëshirojmë ta dëgjojmë.
Nëse lirohen – le të gëzohemi.
Nëse dënohen – le ta përballojmë me dinjitet, le ta analizojmë vendimin dhe le të vazhdojë beteja juridike atje ku e ka vendin: në drejtësi.
Por Kosova duhet të mbetet e qetë.
Sepse më 16 shtator, cilido qoftë vendimi, dielli do të perëndojë.
Dhe më 17 shtator do të lindë përsëri.
Kosova do të jetë aty.
Fëmijët tanë do të zgjohen dhe do të shkojnë në shkollë.
Njerëzit do të shkojnë në punë.
Institucionet do të vazhdojnë punën.
Dhe jeta do të vazhdojë.
Nuk përfundon Kosova më 16 shtator.
Mbyllet vetëm një faqe shumë e rëndë e historisë sonë dhe hapet një tjetër.
Dhe detyra jonë është që faqen tjetër ta hapim me mendje të kthjellët, me dinjitet dhe me Kosovën më të fortë — jo më të dobët.
Sepse nëse për ta mbrojtur të kaluarën e shkatërrojmë të ardhmen, atëherë nuk kemi mbrojtur askënd.

