Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, eshte takuar me rektorin e Universiteti i Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ku diskutuan për kthimin e pronave të uzurpuara dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve, njofton Universiteti i Prishtinës.
Në njoftim thuhet se Pacolli-Dalipi ka thënë se pronat e UP-së do të jenë prioritet, duke theksuar se Plani Hapësinor i Kosovës, që do të hartohet këtë vit, do të ndajë qartë pronat publike nga ato private dhe do të përcaktojë hapësirat që i takojnë institucioneve. Ministrja shtoi se ekspertiza e Universitetit do të ketë një rol kryesor në hartimin e planit, me mbështetje nga institucionet evropiane.
Sipas UP-së të dy palët ranë dakord që të përgatisin dhe nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi për të gjitha fushat ku mund të bashkëpunojnë.
Në takim morën pjesë edhe këshilltarët dhe stafi i të dyja institucioneve, ndërsa rektori Hajrullahu i ndau ministres dhe këshilltarit të saj mirënjohje për raportin dhe hulumtimin e Kuvendit të Kosovës mbi rastet e uzurpimit të pronave të universitetit.

