Me një tjetër reagim ndaj, shefes së deputetëve të Vetëvendosjes ka dalë këshilltarja e presidentes, Vjosa Osmani, Learta Hollaj. Ajo ka thënë se qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve, siç i ka quajtur ajo, të ulëta.
“Besohet se përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi qytetar e shtetëror. Kjo nuk është çështje e thjeshtë e aritmetikës procedurale apo administrative, por temë që prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues. Prandaj, qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta”, ka shkruar në reagimin tjetër të saj, Hollaj.
Madje, ajo ka thënë se LVV-ja nuk i ka ofruar asnjë votë Osmanit, por, siç thotë, kërkuan që të bëhet formalitet e numër.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!”, ka shkruar në reagimin e saj Hollaj.

