ATSH/ Monumentet e trashëgimisë kulturore dhe parqet arkeologjike në qarkun e Vlorës po konsolidohen gjithnjë e më shumë si pjesë e itinerareve turistike, duke tërhequr mijëra vizitorë vendas dhe të huaj gjatë sezonit.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Orges Feimi tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-gusht 2026, shtatë monumente dhe parqe arkeologjike nën administrimin e DRTK Vlorë janë vizituar nga 51 104 persona, duke shënuar një rritje të interesit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 46 167 vizitorë”.
Sipas tij, rritja e vizitueshmërisë është regjistruar edhe pse një prej monumenteve, Kalaja e Kaninës, ka qenë e mbyllur për publikun për shkak të punimeve të restaurimit.
Vizitorët kanë shfaqur interes për historinë, arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore të qarkut Vlorë.
“Monumentet historike përbëjnë një pikë të rëndësishme në ofertën turistike të qarkut, duke plotësuar potencialin që Vlora ofron për turistët përtej turizmit bregdetar. Fluksi më i madh i vizitorëve përqendrohet gjatë muajve të sezonit veror, me korrikun dhe gushtin ndër periudhat me numrin më të lartë të vizitueshmërisë, ndërsa edhe shtatori vijon të karakterizohet nga interes i lartë për monumentet e trashëgimisë”, tha Feimi.
Në krye të listës së monumenteve më të vizituara në juridiksionin e DRTK Vlorë renditet kalaja e Porto Palermos.
“Kjo kala nga janari deri më 31 gusht 2026 ka pritur 34 717 vizitorë, duke u shndërruar në një prej pikave më të frekuentuara të trashëgimisë kulturore në jug të vendit”, theksoi Feimi.
Rritja e numrit të vizitorëve në monumentet dhe parqet arkeologjike tregon gjithashtu për një diversifikim të përvojës turistike në qark, ku krahas plazheve dhe bukurive natyrore, gjithnjë e më shumë hapësirë po zë edhe trashëgimia historike dhe kulturore.
Monumentet dhe parqet arkeologjike nën administrimin e DRTK Vlorë janë Parku Arkeologjik i Amantias, Parku Arkeologjik i Finiqit, Parku Arkeologjik i Orikut, Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë, Kisha e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, kalaja e Kaninës dhe kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo. Ato vijojnë të jenë pjesë e rëndësishme e itinerareve turistike, duke ofruar mundësi për të njohur nga afër historinë dhe kulturën e territorit dhe duke kontribuar në pasurimin e ofertës turistike të jugut të Shqipërisë.

