Zejdush Kastrati
Kur një politikan del publikisht dhe pranon se është mashtruar, se ka gabuar në gjykim apo se ka marrë vendime mbi bazën e një mashtrimi, nuk mund të sillet sikur ka zbuluar vetëm një fatkeqësi personale.
Jo. Në politikë, gabimi i politikanit ka faturë. Dhe atë faturë nuk e paguan politikani, por vendi dhe qytetari.
Prandaj, “u mashtrova” nuk është dëshmi pafajësie. Është pranim përgjegjësie.
Pranimi publik se je mashtruar duhet të ketë edhe një vazhdim logjik: kërkimfaljen dhe dorëheqjen nga misioni që nuk ke ditur ta kryesh.
Sepse politika nuk është vend ku njeriu provon, gabon, dëmton dhe pastaj kërkon edhe një mandat tjetër për ta korrigjuar gabimin.
Nuk mund të jesh njëkohësisht i mashtruari dhe ai që kërkon të vazhdojë të udhëheqë.
Tashmë nuk është më aq e vështirë të kuptohet se kush ishin dhe kush janë. Disa po i tregojnë vetë historitë e tyre. Po pranojnë vetë çfarë kanë besuar, kujt i kanë besuar dhe si janë përdorur politikisht.
Mirë që po flasin.
Por rrëfimi nuk mjafton.
Populli nuk ka nevojë vetëm të dëgjojë rrëfimin e të mashtruarve. Ka të drejtë të kërkojë përgjegjësi nga ata që pranojnë se e kanë udhëhequr vendin mbi bazën e mashtrimit.
Në fund të fundit, një politikan mund të mashtrohet nga dikush tjetër.
Por nuk mund të kërkojë që populli të mashtrohet edhe një herë prej tij.

