Një rast i moszbatimit të urdhrave të personit zyrtar është raportuar mbrëmë në fshatin Prush të Gjakovës.
Sipas Policisë, rreth orës 23:55, njësia policore ka ndaluar një veturë të tipit “Golf 7”, në të cilën ndodheshin tre persona meshkuj. Vetura drejtohej nga një shtetas i huaj, ndërsa me të ishin edhe dy pasagjerë, po ashtu shtetas të huaj.
Në momentin kur të dyshuarit kanë kuptuar se policia do ta kontrollonte veturën, drejtuesi ka ikur me shpejtësi nga vendi i ndalimit, ndërsa dokumentacioni dhe telefonat e të dyshuarve kanë mbetur te njësia policore.
Policia ka arritur të identifikojë lokacionin e veturës, ku është konstatuar se të dyshuarit, gjatë ikjes, kanë shkaktuar edhe një aksident.
Vetura është konfiskuar, ndërsa të dyshuarit ndodhen në arrati. Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar.

