Plot pesë vite premtime, por asnjë gur i vendosur në terren. Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën 150 mijë euro për projektin zbatues të memorialit “Adem Jashari”. Megjithatë, lokacioni i përzgjedhur, pikërisht mbi tunelin e rrugës “Agim Ramadani”, po rezulton të jetë i jashtëligjshëm.
Opozita në kryeqytet alarmon se kryetari, Përparim Rama po insiston në një zonë ku ndërtimi është i ndaluar, duke rrezikuar monumentet historike përreth.
“Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve nuk ka dhënë leje dy herë, për shkak se ai lokacion i cenon 7 objekte që janë nën mbrojtje”, tha Nexhmije Xhema, asambliste e Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.
E përderisa nënshkrimi i një kontrate financiare pa pasur lejet paraprake, ngre dyshime tek opozita komunale, se ku do të përfundojnë paratë e taksapaguesve nëse projekti dështon përfundimisht, i pari i kryeqytetit është i bindur për realizimin e këtij projekt. Sipas tij, pavarësisht bllokadave që i bëhen projektit, nënkalimi është në bazë të planit rregullativ.
“Nuk ka të bëjë me asnjë mbrojte të asnjë monumenti, sepse ne këtë e kemi si pjesë të procesit, mbrojtjen e monumenteve, trashëgimisë kulturore, nëse hasim në diçka përfundi, ne e qesim në pah, që e ngritë turizmin, traditën, kulturën e mësojmë më shumë për vete. E bëjmë një shëtitore me ecë njerëzit në këmbë edhe në zonën e vjetër. Pra vetëm e zhvillojmë turizmin, ekonominë”, tha Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.
Se projekti është i bllokuar ligjërisht e konfirmon edhe vetë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Në një përgjigje me shkrim për RTK-në, instituti thotë se komuna nuk ka dërguar as kërkesë zyrtare për shqyrtim. Zëvendësdrejtoresha Rrezarta Loxha-Vitaku paralajmëron masa administrative dhe sanksione ligjore nëse punimet nisin krye në vete. Për më tepër, projekti për tunelin është refuzuar plotësisht.
Komuna e Prishtinës tentoi ta ankimojë këtë vendim në shkallën e dytë, por Komisioni i Ministrisë e hodhi poshtë ankesën e komunës, duke ia bërë të qartë se kriteret e trashëgimisë kulturore u shkelën.

