Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të miturit A.O., i cili është dënuar me nëntë vjet burgim për dy vepra penale, përfshirë vrasjen e rëndë.
Sipas gjykatës, rasti ka ndodhur më 14 qershor 2026, në fshatin Kobaj të Komunës së Prizrenit, ku i mituri A.O., në bashkëkryerje me Sh.O., vëllain e tij, ka sulmuar me thikë dy persona.
Gjatë përleshjes, i mituri e ka goditur një herë në gjoks viktimën A.O., e cila, sipas gjykatës, ka pësuar plagë të rënda dhe është dërguar për në spital pa shenja jete, ku është konstatuar vdekja.
Ndërkaq, viktima tjetër, I.O., ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Gjykata ka konstatuar se i mituri A.O. ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1.
Për këto vepra, gjykata e ka dënuar të miturin me nëntë vjet burgim, ndërsa në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që të miturit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Në shqyrtimin gjyqësor të 18 shtatorit, i mituri A.O. ka deklaruar se ndihet përgjegjës dhe fajtor për veprat penale që i janë vënë në barrë.
Sipas gjykatës, trupi gjykues ka vlerësuar se i mituri e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të përgjegjësisë dhe se pranimi është bërë pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësin e tij.
Palët do ta pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar, ndërsa pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ndërkohë, lënda ndaj dy të dyshuarve të tjerë, Sh.O. dhe A.O., sipas Gjykatës Themelore në Prizren, ndodhet në fazën e procedurës paraprake/hetimore në Departamentin e Krimeve të Rënda.

