Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë, Xh.K., nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, më 8 shtator 2026, rreth orës 19:30, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, i pandehuri dyshohet se ka importuar në Kosovë marihuanë, të cilën e kishte siguruar në Shqipëri.
Gjatë kontrollit në autobus, zyrtari policor kishte vërejtur aromën e substancave narkotike në pjesën e pasme të mjetit, ku ishte ulur i pandehuri. Në çantën e tij, sipas Prokurorisë, janë gjetur 2 kilogramë e 162 gramë marihuanë, një sasi tjetër prej 2.13 gramësh, si dhe një peshore elektrike.
Sipas aktakuzës, substancat ishin destinuar për t’u importuar në Kosovë dhe më pas për t’u shpërndarë e shitur në Ferizaj.
Xh.K. gjendet nën masën e paraburgimit.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

