Thursday, November 19, 2026
HomeGjeopolitikOpinionNjë natë e rëndë për Jakup Krasniqin, familjen e tij dhe ndërgjegjen...

Një natë e rëndë për Jakup Krasniqin, familjen e tij dhe ndërgjegjen tonë njerëzore!

Zejdush Kastrati

Besoj se çdo shqiptar i kujton mirë momentet kur Jakup Krasniqi, në rolin e zëdhënësit të UÇK-së, që në daljet e para publike të saj, i uniformuar dhe nga zonat e luftës, i drejtohej opinionit publik.

Edhe pas luftës, pothuajse në të gjitha pozitat që ushtroi në ekzekutiv, legjislativ dhe në parti, ai u dallua nga shumë liderë të tjerë për ndershmëri, qëndrueshmëri dhe korrektësi. Ishte një personalitet që, me bindje dhe përkushtim, iu qëndroi besnik ndërtimit të shtetit, idealeve të tij politike dhe parimeve me të cilat ishte brumosur ndër vite.

Pikërisht për shkak të qëndrimeve të tij parimore ndaj disa fenomeneve dhe dukurive negative brenda partisë, ai nuk hezitoi të shprehte mospajtimet dhe kritikat e tij. Madje, jo rrallë, edhe në intervista ishte i drejtpërdrejtë, i ashpër dhe i pakompromis në kundërshtimin e tyre.

Përjetoi ofendime të ndryshme nga bashkëpartiakë e bashkëluftëtarë, por nuk u zmbraps. Asnjëherë nuk e shndërroi mospajtimin politik në një debat të hidhur personal, madje as kur u largua nga PDK-ja dhe kaloi në Nisma.

Prandaj, besoj se shumë shqiptarë sonte janë ndier të prekur, të revoltuar dhe thellësisht të zhgënjyer nga drama që përjetuam.

Është e rëndë të shohësh se si një i burgosur politik i ish-Jugosllavisë, një nga figurat publike të UÇK-së dhe një personalitet që mbajti pozita të rëndësishme në institucionet e pasluftës, të përballet me një situatë të tillë, pikërisht në momentet kur nevoja njerëzore për t’u takuar, për t’u përqafuar e për t’u çmallur me familjen bëhet më e madhe se gjithçka tjetër.

T’ia mohosh një njeriu të drejtën për të takuar dhe përshëndetur të afërmit e tij, ndoshta edhe për herë të fundit, është një barrë e rëndë njerëzore. Sidomos kur bëhet fjalë për një person që tashmë është nën masa të rënda kufizuese dhe ndaj të cilit është shqiptuar edhe vendimi i shkallës së parë.

Sonte nuk ishte një natë e rëndë vetëm për Jakup Krasniqin, familjen dhe të afërmit e tij. Ishte një natë e rëndë edhe për të gjithë ata që kanë ndjenja humane, që besojnë në dinjitetin njerëzor dhe që, pavarësisht bindjeve politike, nuk mund të mbeten indiferentë ndaj dhimbjes së tjetrit.

Uroj me gjithë zemër që Jakup Krasniqi, ashtu siç ka përballuar shumë beteja të vështira në jetën e tij, të gjejë forcën për ta përballuar edhe këtë sprovë. Ndërsa drejtësia, në shkallën e apelit, të sjellë një vendim të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet e drejtësisë.

Sepse, përtej politikës, luftës dhe bindjeve, ekziston edhe dinjiteti njerëzor. Dhe ai nuk duhet t’i mohohet askujt!

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram