Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se hapësira e njohur për qytetarët si “te Zalli” do të shndërrohet në Stacion Kulturor.
Sipas Ramës, projekti po realizohet në bashkëpunim me organizatën Artpolis dhe synon që një hapësirë e lënë pas dore të rikthehet në funksion të artit, kulturës dhe komunitetit.
“Pas më shumë se dy dekadash, Prishtinës ia kthyem Galerinë e Kryeqytetit në Pallatin e Rinisë. Tash, bashkë me Artpolis-in, hapësirën që gjenerata të tëra e njohin si ‘te Zalli’, po e kthejmë në Stacion Kulturor”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se hapësira ka edhe një rëndësi të veçantë për kujtesën kolektive, pasi lidhet me eksodin e vitit 1999.
“Një vend që bart kujtesën e eksodit të vitit 1999, sot hap dyert për art, kulturë, ide dhe horizonte të reja”, ka deklaruar kryetari i Prishtinës.
Rama ka thënë se qëllimi i projektit është rikthimi i hapësirave publike në përdorim të qytetarëve dhe vënia e hapësirave të pashfrytëzuara në funksion të artistëve, krijuesve dhe komunitetit.
“Sepse rigjenerimi i qytetit nuk është vetëm fizik. Është kulturor, shoqëror dhe njerëzor”, ka shkruar ai, duke përmbyllur njoftimin me urime për drejtuesen e Artpolis-it, Zana Hoxha, organizatën Artpolis dhe Stacionin e ri Kulturor në Prishtinë.

