Wednesday, September 30, 2026
HomeLajmeKosovëKurti mori pjesë në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural

Kurti mori pjesë në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural me temë: “Zonat rurale reziliente dhe sistemet ushqimore të qëndrueshme: qeverisja, kornizat e politikave dhe sfidat strukturore”, organizuar nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica (IBCM) dhe Rrjeti Evropian për Zhvillimin Rural.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, me këtë rast, Kurti theksoi se për Kosovën, zhvillimi rural ka rëndësi të veçantë. “Ne kemi tokë pjellore, burime natyrore, traditë bujqësore dhe potencial njerëzor. Por kemi edhe vështirësitë nga sfida strukturore e deri te ndryshimet klimatike. Prandaj, synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim bujqësinë, por edhe ta transformojmë atë”, tha ai.

Duke vënë në pah faktin se një pjesë e madhe e popullsisë sonë jeton në zona rurale dhe se bujqësia e blegtoria, përpunimi i ushqimit dhe bizneset e vogla rurale përbëjnë bazën e të ardhurave dhe të dinjitetit për shumë familje, kryeministri tha se pikërisht për këtë arsye, qeveria jonë po investon në mënyrë strategjike në bujqësi dhe zhvillim rural, duke mos i trajtuar ato si kosto sociale.

“Duam të investojmë në ujë dhe ujitje, në shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit, në mënyrë që fermerët tanë t’i shtojnë vlerë prodhimeve të tyre, në vend që të eksportojnë produkte të papërpunuara dhe të importojnë produkte të gatshme”, tha kryeministri.

Po ashtu, Kryeministri foli për rëndësinë e ndërtimit të një sistemi ushqimor ku siguria e konsumatorit, konkurrenca e ndershme në treg dhe besimi në institucionet publike janë të panegociueshme, e këtu siç tha ai, universitetet tona dhe Akademia jonë e Shkencave përveçse vend mësimdhënie, duhet të jenë edhe qendra të kërkimit shkencor dhe e këshillimit për politika publike.

Duke vlerësuar se diskutimet në këtë konferencë mbi Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare për periudhën 2028–2034 janë tejet të rëndësishme për ne, kryeministri tha se “e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, e kjo nënkupton zgjedhje dhe përcaktim për vlerat, institucionet dhe standardet sipas të cilave duam të jetojmë, përfshirë këtu standardet e ushqimit që vendosim në tryezat tona”.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram