Dogana e Kosovës ka zbuluar 50 mijë euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një autobusi që qarkullonte në linjën Itali–Kosovë.
Rasti është zbuluar të dielën në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare, gjatë një kontrolli të kryer nga zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë, në bashkëpunim me zyrtarët doganorë dhe policorë.
Sipas Doganës, paratë janë gjetur të fshehura në bagazhin personal të drejtuesit të autobusit.
“Gjatë kontrollit të një autobusi të linjës Itali–Kosovë, në bagazhin personal të drejtuesit të autobusit janë zbuluar 50,000 euro të fshehura dhe të padeklaruara pranë autoriteteve doganore”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Autoritetet doganore kanë rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga territori i Kosovës dhe bart me vete 10 mijë euro ose më shumë, është i obliguar që shumën ta deklarojë te zyrtarët doganorë.
Dogana nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me destinimin e parave apo masat e ndërmarra ndaj personit të përfshirë në rast.

