Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga PDK gjysmën e votave nga deputetët e këtij subjekti politik për votimin e kandidatit për president, Bekim Sejdiu, në seancën e sotme dhe ka premtuar se të enjten do ta votojnë projektligjin për Dhomat e Specializuara.
“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush”, ka thënë ai, duke kërkuar premtim publik nga PDK.
“Le ta zgjedhim presidentin sonte dhe unë publikisht zotohem që paraditen e së enjtes kalon projektligji për Dhomat e Specializuara. Ne do ta votojmë në lexim të dytë”, ka thënë Kurti, duke thënë se e respektojnë 72-orëshin e kërkuar me rregulloren e Kuvendit.
Kurti për seancën sonte: Presim përgjigje për ofertën që dhashë
Kryeministri Albin Kurti për thirrjen e seancës sonte me rastin e përmbylljes së afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, tha se do të konsultohet në një mbledhje me subjektin që drejton por se pret që të flasin partitë e tjera politike nëse duan zgjedhjen e presidentit.
“Tash nuk besoj që duhet të flas unë. A do të thërrasim mbledhje apo jo duhet folur të tjerët. A janë njëmend të vendosur që Kosovën të mos e lënë pa president e të ngelemi me ushtrues detyre e të shkojmë në zgjedhje të reja, apo jo. Rendi logjik i hapave është që të kemi një përgjigje për këtë ofertën shtesë që dhashë”, tha ai.
I pyetur për rrethanat e protestës dje dhe sjelljen e Policisë së Kosovës dhe Njësisë Speciale me protestuesit, ai tha se policia është më tolerante.
“Nëse ju i shihni xhirimet e sjelljes së policëve, e shihni që policia është jashtëzakonisht më shumë tolerante sesa në atë kohë”, tha ai, duke krahasuar kohën kur LVV organizonte protesta.
Kurti: Moszgjedhja e presidentit na pamundëson strategjinë kombëtare për Hagë
Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media tha se mos zgjedhja e presidentit sonte dhe dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme pamundëson edhe strategjinë shtetërore e kombëtare për të kundërshtuar vendimin dënues ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë.
“Çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë ne asnjëherë nuk e kemi ndërlidhur me çështjet e brendshme këtu politike, e as me çështjen e presidentit. Këto janë tema të ndara për neve. Por të dyja janë çështje të interesit të përbashkët shtetëror e kombëtar”, tha Kurti.
“Ata janë dënuar në shkallë të parë ndërkohë sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duhet kuptuar dhe trajtuar me sinqeritet. Çështja atje do të marrë kohë e angazhim, e qe besa do edhe shumë nerva dhe s’do të bëjmë kurrëfarë mrekullie pse votojmë një projektligj. Për këtë duhet të jemi të përgatitur të gjithë. Si për ta bërë edhe më të rëndë, ne me mos votimin e presidentit sonte, mund të shkojmë brenda orësh në zgjedhje”, ka deklaruar kryeministri.
“Ne besojmë në korrigjim në Apel e në anën tjetër një strategji shtetërore kombëtare për të fituar këtë betejë. Ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi drejt atij synimi, e që i kemi të gjithë së bashku. Pra çështja e zgjedhjes së presidentit. Sepse mos zgjedhja e tij ose saj jo vetëm që na çon direkt në zgjedhje por na pamundëson të gjithëve të merremi edhe me strategjinë shtetërore e kombëtare, por edhe me Apelin, i cili në fakt është shumë i ngutshëm. Nuk do të mund të merremi me Apelin vitin e ardhshëm, por këtë muaj”, tha ai, duke shtuar se pa president Kosova do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe do të mbetet pa institucione stabile.
Albin Kurti ka thënë se Ligji për Specialen është urgjencë, por siç u shpreh ai, çështja e presidentit mbetet emergjencë
“Ligji është urgjencë por presidenti është emergjencë. Presidenti duhet të zgjidhet sot, ligjin mund ta votojmë më pastaj”, deklaroi kryeministri.
Kurti: Ne i bëmë katër hapa ndaj PDK-së, ata asnjë hap drejt nesh
Kryeministri Albin Kurti ka kritikuar kreun e PDK-së, Bedri Hamza për deklaratat e tij se nuk do të takohet më me kreun e LVV-së dhe tha se po ju drejtohet atij nëpërmjet kësaj konference.
“Nga takimi i mbrëmshëm, e lamë mundësinë hapur që të takohemi edhe sot, por meqë kryetari i PDK-së, Hamza s’po do të takohet më me mua, unë po i drejtohem në këtë konferencë. Unë s’kam folur deri më tash në këto katër takime që kemi pasur. Kam dashur e dua marrëveshje e transparencë të procesit të bisedimit, por definitivisht konfidiencalitet të tyre. Por Bedri Hamza na ka kushtëzuar në mënyrë ultimative dhe refuzon të takohemi. Prandaj edhe s’na mbetet rrugë tjetër përveçse t’ju drejtohemi kësisoj”, tha ai.
“Ne i bëmë katër hapa drejt tyre, asnjë hap nuk e bëri PDK drejt nesh. Kjo është e padrejtë dhe e padobishme”, tha Kurti, për seancën e djeshme.

