Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se ka autorizuar hetuesit e IPK-së të ndërmarrin veprime paraprake për trajtimin e secilit rast që lidhet me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur më 05.10.2026 në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i autorizimit është grumbullumi i informatave dhe provave relevante lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, sa i përket shpërndarjes së protestuesve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me IPK-në, do të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të secilit rast ku dyshohet të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi. Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave”, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.

