Wednesday, October 14, 2026
HomeGjeopolitikOpinionKUR MUNGON MORALI PUBLIK, DUHET TË VEPROJE LIGJI!

KUR MUNGON MORALI PUBLIK, DUHET TË VEPROJE LIGJI!

Nga Zejdush Kastrati

Katandisja e skenës mediale në Kosovë nuk është më thjesht krizë etike, por dëshmi e dështimit të mekanizmave rregullues. Kur studiot televizive shndërrohen në hapësira të fyerjeve, shpifjeve, kërcënimeve dhe degradimit të debatit publik, përgjegjësia bie para së gjithash mbi KPM-në, e cila duhet të mbikëqyrë, jo të vëzhgojë në heshtje.

E papranueshme është që ekranet televizive t’u shërbejnë si tribunë publike edhe personave të akuzuar për dhunë ndaj grave, ndaj të cilëve zhvillohen procedura gjyqësore, sikur përgjegjësia publike të mos ekzistonte. Po aq shqetësuese është që individë me të kaluar të kontestuar, të përfshirë në skandale apo me akuza serioze, të paraqiten si autoritete morale e të shpërndajnë leksione për etikën dhe vlerat shoqërore. Kjo nuk është çështje e censurës, por e standardeve profesionale, përgjegjësisë editoriale dhe interesit publik.

Një institucion që ekziston vetëm në letër nuk e kryen misionin e vet. Licenca kombëtare nuk mund të jetë mburojë për papërgjegjësinë, ndërsa ekrani publik nuk mund të shndërrohet në tribunë për manipulim, linçim dhe helmim të opinionit.

Pyetja është e pashmangshme: Ku është KPM-ja dhe për çfarë shërben ky institucion, nëse nuk arrin të garantojë respektimin e standardeve ligjore dhe profesionale në median që licencon e mbikëqyr?

Kjo gjendje nuk u krijua brenda natës. Ajo është ushqyer ndër vite nga toleranca institucionale, zbatimi selektiv i standardeve dhe mungesa e pasojave. As gjyqësori nuk mund të mbetet spektator kur shkelen ligji dhe të drejtat e qytetarëve.

Liria e shprehjes nuk është licencë për abuzim, ndërsa pavarësia e medias nuk nënkupton imunitet nga përgjegjësia. KPM-ja duhet të veprojë me vendosmëri, transparencë dhe pa selektivitet; drejtësia duhet të sigurojë përgjegjësi aty ku provohen shkeljet.

Nëse institucionet vazhdojnë të heshtin, degradimi do të thellohet. Nëse morali publik mungon, ligji duhet të flasë — dhe këtë herë, jo vetëm në letër.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram