Teatri Kombëtar i Kosovës shënon 80-vjetorin e themelimit, duke përkujtuar historinë e tij që nga viti 1946, kur rrugëtimi nisi në Prizren, e deri në zhvillimin e tij si një nga institucionet e rëndësishme të artit skenik në vend.
Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës thuhet se gjatë tetë dekadave, në këtë teatër kanë kontribuar breza të shumtë artistësh, të cilët kanë ndërtuar traditën teatrore në Kosovë, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur institucioni.
Ministria ka rikujtuar edhe periudhën kur artistët shqiptarë u përjashtuan nga institucioni, duke vlerësuar se vullneti për krijimtari dhe përkushtimi ndaj teatrit vazhduan të mbaheshin gjallë.
Me rastin e 80-vjetorit, Ministria e Kulturës ka theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve më të mira për artistët dhe publikun.
Sipas njoftimit, mbi 7 milionë euro janë investuar në rinovimin e Teatrit Kombëtar, me synimin për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të ruajtur autenticitetin e ndërtesës.
Në fund, Ministria e Kulturës ka shprehur mirënjohje për të gjithë artistët dhe punonjësit që kanë kontribuar në historinë e teatrit, duke uruar që vitet e ardhshme të sjellin më shumë krijimtari dhe shfaqje për publikun.

