Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon goditjet fizike ndaj gazetares Doriana Bezati, ndërsa raportonte protestën e sotme në vend. Goditja e reporterëve në detyrë gjatë ditës së sotme ndodhi edhe në Durrës, ndaj gazetares Vali Qyrfyçi, kryetare e UGSH së qarkut të Durrësit.
Rastet e sulmeve fizike, agresionet verbale dhe sidomos risqet ndaj integritetit fizik te reporterëve dhe punonjësve të mediave janë rritur në mënyrë alarmuese gjatë dy ditëve të protestave të dhunshme në Tiranë, Durrës dhe në disa tubime e protesta të tjera.
Në dy ditët e mëparshme episode të tjera u raportuan nga shumë media dhe shkaktuan reagime të degëve të UGSH.
Rastet e kolegëve Enkelejda Mema, Alice Taylor, Bekim Bici, Anesti Bajramemaj, dhe operatori Heri Simota, Xhoi Malsia, Izmir Akulli të ndodhura në harkun kohor të dy ditëve të fundit, janë të lidhura me sjellje të papërgjegjshme, akte brutale dhe veprime të dhunshme të individëve me uniformën e policisë së shtetit.
Ndërkohë që operatori Elvin Kamberi, Fatime Halmusaj kanë pësuar dëmtime dhe ekipi i Report TV është sulmuar nga protestues të dhunshëm në krye të detyrës.
UGSH në kordinim me të gjitha degët në 12 qarqet po përgatit një raport specifik për rastet dhe situatën e gazetarëve në kushtet e kësaj situate të pazakontë.
UGSH shpreh solidaritetin e plotë me kolegët dhe apelon për moscënim dhe mospengim të askujt dhe prej askujt që është në detyrën raportuese.
U bëjmë thirrje të gjithë provokuesve, agresorëve, militantëve kërcënues dhe fytyrave që fshihen nën maska kriminale me qëllim kërcënimin, goditjen, pengimin dhe shantazhimin e gqzetarëve, se do të përballen me procese ligjore dhe ndëshkim të pashmangshëm.
U drejtojmë thirrjen tonë punonjësve të policisë që në çdo rast dhe kurdo të respektojnë detyrën e gazetarëve dhe mediave dhe të bëhen solidarë kundër çdo agresori ndaj tyre.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

