Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka zhvilluar një takim me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin italian Roberto Vergori, pas marrjes së detyrës nga ky i fundit.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, koordinimin institucional dhe rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Jashari e uroi Vergorin për detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë e FSK-së për të vazhduar dhe avancuar bashkëpunimin profesional me KFOR-in, bazuar në partneritet dhe besim të ndërsjellë.
Roberto Vergori mori komandën e KFOR-it të mërkurën e javës së kaluar, duke pasuar gjeneralmajorin turk Özkan Ulutaş.

