Vendi ynë po punon për t’u konsoliduar si një qendër transporti dhe logjistike ndërmjet Evropës, Ballkanit Perëndimor dhe rajonit të Detit të Zi, deklaroi Ministri i Transportit Georgi Peev gjatë pjesëmarrjes së tij në Sofia Economic Forum. Ai vuri theksin te zhvillimi i korridoreve vertikale të transportit, lidhjeve ndërkufitare dhe nevoja për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet vendeve të rajonit.
Bullgaria, Greqia dhe Rumania kanë projekte të përbashkëta në tre drejtime kryesore: Veri-Jug, në korridorin perëndimor, qendror dhe lindor. Qëllimi është përmirësimi i lidhjeve mes pikave kufitare, qendrave industriale, nyjeve logjistike dhe porteve. “Një hap i rëndësishëm është Plani i Veprimit i nënshkruar në shtator 2026 në Bruksel ndërmjet tri vendeve”, theksoi ministri.
Plani përfshin 25 projekte prioritare ndërkufitare me një vlerë totale prej rreth 22,8 miliardë eurosh. Ndër drejtimet kryesore janë modernizimi i lidhjeve hekurudhore mes tri vendeve, përmirësimi i qasjes në portet e Varnës, Burgasit dhe Ruses, ndërtimi i urave të reja mbi Danub dhe rritja e kapacitetit të infrastrukturës ekzistuese.
“Lidhjet më të mira përgjatë boshtit Veri-Jug janë të rëndësishme jo vetëm për zhvillimin ekonomik. Në mjedisin aktual gjeopolitik, ato kanë rëndësi edhe për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit, përfshirë zhvillimin e infrastrukturës me përdorim të dyfishtë, e cila mbështet si mobilitetin civil, ashtu edhe atë ushtarak”, nënvizoi Georgi Peev.

