Ryanair u ka kujtuar pasagjerëve se nga e marta, 10 nëntor, vendi i dorëzimit të bagazheve në të gjitha aeroportet drejt të cilave fluturon do të mbyllet 60 minuta para nisjes së planifikuar, në vend të 40 minutave që ishte më parë.
Kompania njoftoi ndryshimin në prill, dhe sot ua kujtoi përsëri pasagjerëve këtë në një deklaratë. Kushdo që do të regjistrojë bagazhet e tij në aeroport do të duhet ta bëjë këtë jo më vonë se një orë para nisjes.
Ryanair thotë se 20 minutat shtesë do t’u japin pasagjerëve që kanë bagazhe të regjistruara, që përbëjnë rreth 20 përqind të pasagjerëve, më shumë kohë për të kaluar kontrollin e sigurisë dhe të pasaportave dhe për të arritur në portë para se të fillojë hipja në aeroplan, veçanërisht gjatë periudhave të ngarkuara në aeroporte. Ndryshimi pritet gjithashtu të zvogëlojë numrin e pasagjerëve që humbasin fluturimet e tyre për shkak të pritjes në kontrollin e sigurisë ose të pasaportave.
80 përqindëshi i mbetur i pasagjerëve, të cilët nuk regjistrojnë bagazhet, nuk preken nga ndryshimet. Ata do të vazhdojnë të regjistrohen në internet para se të mbërrijnë në aeroport dhe do të kalojnë direkt nëpër kontrollin e sigurisë deri te porta.
“U kujtojmë pasagjerëve që përdorin shërbimin e dorëzimit të bagazheve në aeroport që të mbërrijnë në kohë dhe të regjistrohen e të dorëzojnë çantat e tyre përpara mbylljes së shërbimit të regjistrimit dhe dorëzimit të bagazheve, 60 minuta para nisjes”, tha drejtoresha e marketingut e Ryanair, Dara Brady.

