ATSH/ Punimet në rrugën Shalë–Tropojë, një nga investimet e rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit që lidh zonën e Dukagjinit me Kurorën e Alpeve Shqiptare, po vijojnë me ritme të larta.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aks që e konsideroi, “një tjetër rrugë të re drejt zhvillimit”.
“Vijon puna për lidhjen e Dukagjinit me Tropojën përmes Qafës së Ndërmajës, një investim që hap perspektiva të reja për turizmin, ekonominë lokale dhe jetën e banorëve”, u shpreh rama.
Ky investim do të krijojë një korridor të ri lidhës mes zonave alpine, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe vizitorëve, si edhe duke rritur potencialin për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Realizimi i këtij projekti pritet të rrisë aksesueshmërinë në një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit malor në vend, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe në promovimin e Alpeve Shqiptare si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

