Wednesday, October 28, 2026
HomeGjeopolitikOpinionKur pushteti i fjalës kthehet në armë kundër kombit!

Kur pushteti i fjalës kthehet në armë kundër kombit!

Nga Zejdush Kastrati

Një gazetar, opinionist apo analist i pandershëm, pa integritet profesional dhe pa taban kombëtar, jo rrallë mund të jetë më i rrezikshëm se një spiun që tradhton vendin dhe kombin. Sepse spiuni vepron në hije, ndërsa ky, nën petkun e profesionistit, mund ta helmojë mendimin publik, ta relativizojë të vërtetën dhe ta dëmtojë vetëdijen kombëtare, para syve të të gjithëve.

Historia shqiptare njeh jo pak raste kur, në emër të fjalës së lirë, janë promovuar interesa të ngushta, janë mbrojtur qëndrime antikombëtare dhe është goditur besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit.

Liria e shprehjes nuk është liri për të mashtruar, as profesioni i gazetarit licencë për ta dëmtuar interesin kombëtar!

Gazetaria e vërtetë kërkon integritet, guxim, paanshmëri dhe përgjegjësi. Analisti i ndershëm mund ta kritikojë shtetin, qeverinë dhe çdo lider politik, por nuk e shet të vërtetën për interesa personale, partiake apo të huaja. Patriotizmi nuk kërkon heshtje përballë gabimeve; kërkon ndershmëri përballë së vërtetës.

Dhe sot, me keqardhje, duhet ta shtrojmë një pyetje të rëndë: A po instalohet në Kosovë sindromi i Shqipërisë, ku interesat partiake, lufta për pushtet dhe propaganda shpesh e mbysin interesin shtetëror e kombëtar?

Kosova nuk e ka luksin të bëhet peng i analistëve pa integritet, i propagandës së maskuar si mendim i lirë dhe i njerëzve që, për interesa të çastit, harrojnë peshën e fjalës që shqiptojnë.

Sepse shteti nuk dëmtohet vetëm nga ata që e tradhtojnë në fshehtësi. Dëmtohet edhe nga ata që, çdo ditë, ia gërryejnë besimin qytetarëve, ia shtrembërojnë të vërtetën shoqërisë dhe e dobësojnë vetëdijen kombëtare.

Kosovës i duhen zëra të lirë, jo zëra të shitur; analistë me integritet, jo mjeshtër të manipulimit; njerëz me ndërgjegje kombëtare, jo individë që e përdorin kombin si dekor për interesat e tyre.

Sepse kur fjala humb ndërgjegjen, ajo pushon së qeni shërbim publik dhe shndërrohet në armë kundër vetë shoqërisë.

E vërteta mund të jetë e pakëndshme, por kurrë nuk duhet të jetë në shitje.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram