Nga Vladimir Muçaj:
Policia e Shtetit në provën e zjarrit, Skënder Hita në lartësinë e drejtimit!
Ditët e fundit, Tirana u përball me përplasje të dhunshme, dëmtime pronash dhe sulme ndaj institucioneve, duke e vendosur Policinë e Shtetit përballë një prej provave më të vështira të viteve të fundit. Në këtë situatë, kur në ditët e para policia u gjend pothuajse e vetme përballë kaosit dhe një pjese të politikës që u tregua më e shpejtë në akuza sesa në përgjegjësi, efektivët duhej të mbronin qytetarët, bizneset dhe institucionet, duke ruajtur rendin në kushte të jashtëzakonshme. Përballë kësaj sfide, reagimi i strukturës dhe drejtimi i Skënder Hitës meritojnë vlerësim të veçantë. Profesionalizmi i një drejtuesi provohet pikërisht kur tensioni është maksimal, kur çdo vendim mund të rëndojë situatën dhe kur ruajtja e kontrollit kërkon organizim, gjakftohtësi dhe përgjegjësi.
Ajo që duhet vlerësuar është aftësia e Policisë së Shtetit për të përballuar dhunën dhe për të mos lejuar që përplasjet të marrin përmasa edhe më të rënda. Pa një reagim të organizuar, pasojat për Tiranën, bizneset dhe qytetarët mund të kishin qenë shumë më serioze. Skënder Hita, në krye të këtij institucioni, është përballur me një test të rëndësishëm drejtimi, ku vendosmëria duhej të bashkëjetonte me vetëpërmbajtjen dhe respektimin e ligjit. Natyrisht, rastet e evidentuara të tejkalimit të kompetencave nga punonjës të policisë duhet të hetohen dhe të marrin përgjigjen ligjore, por ato nuk mund të zhvlerësojnë angazhimin e përgjithshëm të strukturës dhe të mijëra efektivëve që kanë kryer detyrën në kushte të vështira. Përgjegjësia individuale dhe vlerësimi institucional janë dy çështje që duhen trajtuar me drejtësi dhe pa standarde të dyfishta.
Në një shoqëri demokratike, protesta është e drejtë themelore, por dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj institucioneve nuk mund të justifikohen në emër të saj. Qytetarët kanë nevojë për siguri, bizneset për mbrojtje dhe shteti për institucione që funksionojnë edhe në momentet më të vështira. Pikërisht për këtë arsye, puna e Policisë së Shtetit nuk duhet të gjykohet përmes zhurmës politike, por përmes mënyrës se si ka përmbushur detyrën në terren.
Skënder Hita dhe Policia e Shtetit meritojnë vlerësim për përballimin e kësaj situate të vështirë. Një polici profesionale është garanci për rendin dhe sigurinë e çdo qytetari. Ajo duhet të mbështetet kur kryen detyrën me përgjegjësi dhe të mbajë përgjegjësi kur shkelet ligji. Ky është standardi që forcon institucionet dhe e bën shtetin më të besueshëm.

