Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e ekipeve të Mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për rritjen e numrit të lejuar të fjalëve në njoftimet e tyre për apel kundër aktgjykimit.
Sipas zëdhënësit të DHSK-së, Michael Doyle, vendimi është marrë më 28 tetor 2026, ndërsa afati për dorëzimin e njoftimeve për apel është 27 nëntori 2026.
Pas dorëzimit të njoftimeve, palët kanë 60 ditë kohë për të paraqitur dosjet e plota të apelit. Sipas Ligjit dhe Rregullores së DHSK-së, aktgjykimi dhe dënimi mund të apelohen për gabime të pretenduara faktike ose juridike.
Ndërkohë, më 27 tetor, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të zgjeruar numrin e lejuar të fjalëve në përgjigjen e përbashkët ndaj kërkesës për zhdëmtim.
Më 26 tetor, Trupi Gjykues urdhëroi gjithashtu publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve të dëshmive të 14 dëshmitarëve. Këto vendime pasojnë publikimin e dëshmive të 20 dëshmitarëve të tjerë, të cilat më parë ishin konfidenciale.
DHSK-ja theksoi se këto vendime pasqyrojnë angazhimin për transparencë në proceset gjyqësore, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve.
Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit u shpall më 16 shtator 2026.

