Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, pas emërimit në këtë pozitë me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka zhvilluar takime me prokurorët e shtetit dhe stafin administrativ të këtij institucioni.
Gjatë takimit me prokurorët, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e përkushtimit dhe vigjilencës në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, duke vënë theks të veçantë në trajtimin me prioritet të rasteve gjatë kujdestarive, reagimin në kohë dhe profesionalizmin në trajtimin e secilit rast, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ajo ka siguruar prokurorët për mbështetjen e vazhdueshme të udhëheqjes së Prokurorisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkrahjes institucionale në përmbushjen e përgjegjësive të tyre.
Në kuadër të organizimit dhe koordinimit të brendshëm të punës, me vendim të kryeprokurores në detyrë, prokurori i shtetit Ermal Demhasaj është caktuar koordinator i rasteve të dhunës në familje, për një periudhë të pacaktuar.
Ndërkaq, në takimin me stafin administrativ, Disha-Haxhosaj ka kërkuar angazhim dhe intensitet më të madh në punë, respektim të plotë të dispozitave ligjore dhe përmbushje profesionale të detyrave dhe përgjegjësive.
Ajo ka vënë në pah nevojën për shmangien e lëshimeve eventuale dhe menaxhimin sa më efikas të proceseve administrative, duke theksuar se koordinimi, përgjegjësia dhe bashkëpunimi ndërmjet të gjithë punonjësve janë thelbësore për funksionimin e institucionit.
Kryeprokurorja në detyrë ka ritheksuar përkushtimin për të siguruar një organizim sa më efikas të punës, në mënyrë që Prokuroria Themelore në Pejë të vazhdojë përmbushjen e mandatit dhe përgjegjësive të saj ligjore.

