Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë dhe kërkesën për masë të përkohshme sigurie të parashtruar nga prokurorja e shtetit M.K.-G., e cila kishte kërkuar shfuqizimin e disa dispozitave të Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) që lidhen me procesin e zgjedhjes së anëtarëve prokurorë.
Sipas njoftimit të gjykatës, padia kishte të bënte me shfuqizimin e dispozitave nga neni 5 paragrafët 1 dhe 2, si dhe neni 10 paragrafët 11 dhe 12 të Rregullores Nr.05/2025 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të KPK-së.
Pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, Gjykata Supreme konstatoi se dispozitat që lidhen me përfaqësimin gjinor dhe shumetnik në përbërjen e KPK-së nuk vendosin kushte të reja për kandidim. Sipas gjykatës, këto dispozita synojnë zbatimin e detyrimeve ligjore dhe kushtetuese për përfaqësim të barabartë dhe që përbërja e institucionit të reflektojë pluralitetin shoqëror dhe diversitetin gjinor.
Gjykata vlerësoi se vlerësimi paraprak i përfaqësimit dhe mundësia e zhvillimit të konkursit për gjininë apo komunitetin e nën-përfaqësuar përbën masë pozitive dhe të përkohshme, në përputhje me parimet kushtetuese të barazisë dhe mosdiskriminimit, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme iu referua edhe Ligjit për Barazi Gjinore, Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe standardeve të Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sa i përket nenit 10 të rregullores, gjykata vlerësoi se zgjedhja e anëtarëve prokurorë nga Konferenca e Përgjithshme e Prokurorëve dhe votimi në nivel të prokurorive është në përputhje me ligjin në fuqi, ndërsa dispozitat duhet të lexohen në harmoni me normat e tjera ligjore që rregullojnë përbërjen e KPK-së.
Gjykata theksoi gjithashtu se Konferenca e Përgjithshme e Prokurorëve është forumi institucional ku zhvillohet procesi zgjedhor, ndërsa modalitetet e votimit mund të strukturohen në përputhje me nivelin e përfaqësimit.
Lidhur me pretendimet për diskriminim, Gjykata Supreme theksoi se paditësja i përket të njëjtës gjini dhe etni me kundërkandidaten dhe ka pasur mundësi të kandidojë dhe të marrë pjesë në procesin zgjedhor, por nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për t’u zgjedhur anëtare e KPK-së.
Gjykata rikujtoi se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, jo çdo ndryshim në trajtim përbën diskriminim. Në këtë bazë, ajo refuzoi edhe kërkesën për caktimin e masës së posaçme të sigurimit.

